AlbanianSport.com 01/12/2018 19:35
ASNN – Shqipëria do të përballet me Francën, Islandën, Turqinë, Moldavinë dhe Andorrën në grupin H dhe për presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, synimet janë të qarta. Sikundër për trajneri Panuçi, edhe për Dukën, rivalët kryesorë të kuqezinjve janë Islanda dhe Turqia. Duke folur për Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, kreu i organizmit që qeveris futbollin në vend, mendon se fatin e grupit do ta vendosë përballja me të voglat.
Megjithatë, për presidentin e FSHF-së, vendi i dytë ka kërkesa rigoroze. Së fundi, Duka ka folur edhe Stadiumin e ri të futbollit në kryeqytet, “Arenën Kombëtare”. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ishte njeriu më korrekt sot në qëndrimet e tij për shortin e grupit H, ku Shqipëria do të përballet me Francën, Islandën, Turqinë, Moldavinë dhe Andorrën. Ndryshe nga shumë të tjerë që shohin plot entuziazëm nga e ardhmja, Duka për herë të parë nuk tregohet euforik.
Madje është mjaft i shqetësuar nga goglat që na kanë vendosur në grup me skuadra shumë të forta. Sidoqoftë, duke pasur parasysh emrat që mund të binin, si Gjermania e ndonjë tjetër, Duka mendon se gota duhet parë gjysmë-plot dhe jo e kundërta. Ai pranoi se ky short e ka lënë të kënaqur më shumë sesa të pakënaqur, duke nënkuptuar që mund të kishte më keq dhe në këtë grup ka, sidoqoftë, shpresë për kualifikim si vend i dytë.
“Jam më shumë i kënaqur se i pakënaqur, – u shpreh presidenti i FSHF-së menjëherë pas hedhjes së shortit. – Megjithatë, nuk kualifikohesh nga shorti, por nga fusha, duhet të derdhim djersë. Për sa varet nga shorti, e shoh pozitiv, gota është gjysmë plot. Imagjino që mund të ishte grupi me Gjermani e Holandë. Pasi u hodhën dy skuadrat e para, nuk doja vetëm atë grup, të gjithë të tjerat kanë koka grupi shumë të forta, skuadra që kanë bërë mirë në Ligën e Kombeve dhe që kanë vështirësi të gjithë të luajnë kundër tyre.”
“Jo më ne që jemi nga vazo e katërt, – vijoi më tej Duka. – Franca është një nga më të fortët, si është për ne, është për të gjithë. Mendoj që mund të konkurrojmë për vendin e dytë, por nuk e kemi filluar ende.” Në fund, kreu i FSHF-së, që qëndron prej 16 vjetësh në detyrën e presidentit të Federatës, jep një lajm të mirë për stadiumin e ri, ku beson se në qershor mund të presë ndeshjen e parë. “Me siguri ne do të luajmë në këto eliminatore në stadiumin e ri”, – thotë ai.
“Uroj shumë në mars por nuk ka kohë, besoj në qershor më shumë”, – përfundoi Duka komentin e tij pas hedhjes së shortit të Evropianit të vitit 2020.