AlbanianSport.com 10.09.2016 13:05
ASNN – Elbasani fiton bindshëm miqësoren e djeshme përballë Internacional në shifrat 6-2. Verdheblutë kanë shënuar nga tre gola për çdo pjesë, fillimisht me dygolëshin e Toçit dhe golin e Dostit në pjesën e parë dhe tripletën e Lutës në të dytën. Për sa i përket miqve, shënuan nga një gol Pinari me Mehmetin, por që nuk i shërbeu skuadrës së tyre për të marrë një rezultat pozitiv.
Janë verdheblutë ata që e nisin mjaft mirë ndeshjen, pasi kalojnë në epërsi që në minutën e 10-të, me anë të Toçit. Pa kaluar shumë minuta, është radha e Dostit për të dyfishuar shifrat për elbasanasit, të cilët kanë treguar edhe formën e tyre të mirë. Mirëpo Pinari hap sfidën për miqtë në të 28-ën minutë, sepse ngushtuan diferencat, duke e bërë më interesante sfidën.
Madje Mehmeti barazon gjithçka në minutën e 34-ët, duke detyruar elbasanasit që ta marrin seriozisht sfidën. Është sërish Toçi ai që shënon për verdheblutë një minutë nga mbyllja e pjesës së parë duke e mbyllur me fitore atë. Në fraksionin e dytë të lojës do të ketë zëvendësime të shumta, por “karta” fituese për Elbasanin dhe trajnerin Dosti rezulton Shamet Luta.
Sulmuesi arrin të shënojë tre gola në një pjesë loje, përkatësisht në minutën e 57-të, në atë të 60-të dhe në atë të 80-të, duke treguar një nivel të lartë loje. Kjo ndeshje në tërësi u dominua në të gjitha aspektet për verdheblutë, që sidoqoftë duhet të tregojnë pak më shumë kujdes në mbrojtje
ELBASANI – INTERNACIONAL TIRANA 6-2
Shënues: Toçi 10’, 44’, Dosti 18’,
Luta 57’, 60’, 80’ / Pinari 28’, Mehmeti 34’
ELBASANI: Kotorri, Duka, Bërdufi, Dosti, Kaçuli, Kasa, Vllahi, Sulejmani, Toçi, Lleshi, Agastra. U aktivizuan: Peqini, Suvaria, Panganika, Salla, Stojku, Gjorga, Luta. Trajner: M. Dosti
INTERNACIONAL TIRANA: Kodra, Gjela, Ndreko, Beqiri, Ymeraj, Shehu, Zadeja, Pinari, Çikani, Mehmeti, Çema. U aktivizuan: Çela, Bardhi, Çelaj, Brahja, Blakçori. Trajner: A. Dama
GJYQTARË: S. Dyrmyshi, E. Gjoni, R. Muzhaqi (Elbasan)