AlbanianSport.com 10.10.2016 19:05
ASN – Elbasani ndihet nën një presion të madh përpara derbit me Shkumbinin këtë mesjavë, pasi një tjetër rezultat negativ do t’i linte shumë pas rivalëve verdheblu. Objektivi i ngjitjes në Kategorinë Superiore i detyron elbasanasit që minimumi të mos diskutojnë asnjë ndeshje në shtëpi për të shpresuar më pas edhe tek më shumë pikë jashtë.
Megjithatë grupi pak e nga pak duket sikur po e njeh lojën e njëri-tjetrit dhe lojtarët janë harmonizuar midis tyre duke shpresuar që në këtë mënyrë të vijë edhe fitorja e parë e verdhebluve këtë sezon. Sipas të gjitha informacioneve brenda klubit për skuadrën pritet të vendoset një shpërblim për fitoren e parë të këtij sezoni, një shtysë kjo më shumë që futbollistët të japin më shumë sesa 100% e tyre.
Edhe në ndeshjet e kaluara ka pasur shpërblime të premtuara për skuadrën, por deri më tani, lojtarët nuk i kanë “ngrohur” dot xhepat, sepse ende nuk e kanë provuar fitoren. Shuma më e madhe ishte ndaj Luftëtarit ku, nëse arrihej kualifikimi në Kupën e Shqipërisë, do të merrnin 5 milion lekë të vjetër të gjithë së bashku.