AlbanianSport.com 10.08.2015 22:05
ASNN – Edhe pse elbasanasit kanë bërë disa afrime deri më tani, largimet e titullarëve të sezonit të kaluar kanë detyruar klubin e Elbasanit të bëjë shumë ndryshime për këtë sezon.
Kështu mësohet se gjatë kësaj jave do të mbyllet përfundimisht edhe çështja e afrimeve, për t’i lënë minutave të fundit të merkatos vetëm ndonjë ndërhyrje që ia vlen për t’u bërë në ato çaste.
Burime pranë klubit verdheblu pohojnë se priten të tjerë futbollistë të huaj për provë, si edhe përforcime të mundshme nga skuadra e Vllaznisë, me lojtarë që vijnë nga moshat e këtij qyteti.
E thënë më ndryshe, priten minimumi edhe tre lojtarë të tjerë, ku dy prej të cilëve duhet të jenë patjetër në repartin e avancuar, sepse duket se aty Elbasani ka problemet më të mëdha.
Tani mbetet për t’u parë aftësia e drejtuesve të klubit për të joshur lojtarët që kërkojnë, duke e ditur se Elbasani nuk e ka luksin të japë paga të mëdha.