AlbanianSport.com 26.10.2014 08:25
ASNN – Elbasani luan sot me Partizanin në fushë kundërshtare, ku do të kërkojë të marrë edhe pikën e parë në fushë të huaj, e cila pse jo do ta rifuste sadopak në garë për një vend në Superiore. Verdheblutë për fatin e tyre të mirë do të kenë një grup të plotë në përbërje, sepse nuk ka as dëmtime dhe as dënime për arsye kartonësh. Ndaj do të shpresojnë për të bërë një surprizë në këtë ndeshje.”
Përpos lojtarëve, verdhebluve do t’u rikthehet në pankinë edhe trajneri Dosti, i cili ka mbaruar atë turin e shkurtër në Zvicër për sa i përket kursit të “UEFA Pro” dhe do të udhëzojë nga afër djemtë që stërvit. Në një prononcim për gazetat sportive të ditës, numri një i pankinës elbasanase, Muharrem Dosti, beson se skuadra që ai drejton i ka mundësitë për të dalë me një rezultat pozitiv.
Ai i kënaqet faktit që do ta ketë grupin të plotë dhe këtë takim e konsideron si “jetë a vdekje”. “Është një takim shumë i vështirë për ne, sepse përballë do të kemi Partizanin që kryeson dhe që ka një emër jo të vogël në kampionatin shqiptar, – thotë ish-portieri i mirënjohur elbasanas. – Mirëpo ne nuk shkojmë me idenë se e kemi të humbur takimin, sepse do të luajmë shanset tona për të dalë me një rezultat pozitiv.”
“Për fat të mirë të gjithë lojtarët janë të gatshëm dhe kjo më jep mundësinë për të bërë një përzgjedhje sa më të mirë për sa i përket formacionit dhe të gjithë janë në formë të mirë. Dua të them se kjo ndeshje për ne është për ‘jetë a vdekje’, sepse çdo pikë është e vlefshme për mbijetesën”, – ka përfunduar trajneri i skuadrës verdheblu, Muharrem Dosti.
Ja formacioni i mundshëm (4-4-1-1): Kotorri, Kaçuli, Pisha, Basriu, Shazivari, Gava, Hila, Toçi, Malindi, Bylykbashi, Çota.