AlbanianSport.com 05.02.2015 11:35
Elbasani vijon të përgatitet me intensitet të lartë në këto ditë përpara ndeshjes direkte me Teutën, ku fitorja mbetet detyrimi i vetëm. Trajneri Muharrem Dosti po u jep dozën e nevojshme të stërvitjes në mënyrë që të jenë sa më të gatshme për këtë ndeshje dhe për të pretenduar më pas ta fitojë takimin. Për fat të mirë lojtarët do të jenë të gjithë të gatshëm dhe nuk ka asnjë arsye, apo motiv, që verdheblutë të mos tentojnë fitoren.
Sigurisht që shpresat më të mëdha janë tek afrimet e reja që janë bërë në tregun e lëvizjeve të futbollistëve, sidomos tek sulmuesi kamerunas Jontsha. Në një prononcim për gazetat sportive të ditës, sulmuesi i Elbasanit, Eri Lamçja, shprehet se Teuta do të mundet në Elbasan dhe për këtë arsye verdheblutë do të japin maksimumin për t’ia dalë.
“Nuk ka asnjë rezultat tjetër veç fitores që mund të na bëjë punë në këtë ndeshje me Teutën, – ka deklaruar ai në prag të sfidës me bregdetarët. – Është rivali më i afërt dhe më i mundshëm që mund ta kapim, ndaj tri pikët janë një detyrim. Kam shumë besim se ne do t’ia dalim që ta ndalim këtë kundërshtar dhe në këtë mënyrë rihapim edhe garën për mbijetesë.”
“Skuadra gjatë gjithë këtyre ditëve e ka pasur mendjen vetëm tek kjo ndeshje dhe jemi të motivuar për ta mundur. Tani të shpresojmë që të kemi edhe fatin me vete, sepse në futboll ke nevojë për të gjitha në rast se dëshiron të fitosh”, – e mbyll prononcimin e tij për gazetat sportive të ditës, lojtari që i ka dhuruar fitoren e fundit verdhebluve në këtë kampionat, me golin ndaj Apolonisë, Eri Lamçja.