AlbanianSport.net 26.09.2014 22:35
ASNN – Stadiumi kombëtar “Elbasan Arena” ka hyrë në fazën përfundimtare të punimeve, ndërsa paralelisht me të po shihet mundësia për ndërtimin e pistës së atletikës. Në prag të kësaj fundjave, stadiumin e kanë vizituar edhe specialistë të kompanisë italiane “Mondo”, që është e specializuar në ndërtimin e pistave të atletikës. Përfaqësuesi i kompanisë “Mondo”, Roberto Frank, u shpreh për mediet se nga ana e tyre po shihet mundësia e bashkëpunimit me FSHF-ne me qëllim që edhe pista dhe fusha e futbollit të ndërtohen sipas parametrave bashkëkohore.
Ndërkohë kreu i Federatës Shqiptare të Atletikës, Gjergji Ruli, tha se janë të gjitha kushtet për ndërtimin e pistës, ndërsa punimet nuk do të nisin para datës 11 tetor, kohë në të cilën do të zhvillohet ndeshja e parë e futbollit në stadiumin e ri nga ekipi ynë përfaqësues. Punimet për përfundimin e stadiumit po ecin me ritme të mira për të përfunduar brenda afateve, pasi me datën 11 tetor do të bëhet edhe inaugurimi i tij, ditë e cila përkon me zhvillimin e ndeshjes Shqipëri-Danimarkë, e vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Evropian “Francë 2016”.
Stadiumi kombëtar “Elbasan Arena” është duke u shndërruar në një nga stadiumet më moderne të Shqipërisë. Ai do të ketë një kapacitet prej 12.500 vendesh të ulura dhe me një infrastrukturë bashkëkohore.