AlbanianSport.com 01.10.2014 21:20
ASNN – “Elbasan Arena” është pothuajse gati për të pritur sfidën e 11 tetorit midis kuqezinjve të De Biazit dhe miqve nga Danimarka, që do luajnë sfidën e dytë në këto eliminatore. Gjatë një inspektimin në këtë impiant modern, drejtori i stadiumit, në prani dhe të mediave, ka bërë të ditura ato që kanë përfunduar dhe ato shumë pak gjëra që janë në proces e sipër për t’u përfunduar. Siç dihet kanë mbaruar së vendosuri stolat përqark stadiumit, si dhe pritet të mbarojë dhe vënia e ndenjëseve në tribunën vip, për t’u kompletuar i gjithë stadiumi me ndenjëset.
Parkimi jashtëm është duke përfunduar dhe gjithashtu dhe fasada në hyrje të stadiumit, të cilat i kanë dhënë një pamje mjaft interesante “Elbasan Arenës”. Përsa i përket dhomave në mjediset e brendshme, ato thjeshtë do të kompletohen me pajisjet përkatëse, për të qenë gati dhe për të funksionuar. Dhomat e zhveshjeve të skuadrave janë sipas standardeve që kërkon UEFA, si dhe ajo e gjyqtarëve, që do të jenë në katin e parë, të pajisura me aspirim dhe ajër të kondicionuar. Në katin e dytë do të jenë dy restorantet, si dhoma e gazetarëve, dhoma e komentimit, por më kryesorja ishte edhe salla e konferencës për shtyp, që është shumë e madhe.
Të gjithë gazetarët që do të akreditohen për këtë ndeshje do të kenë të gjitha kushtet e nevojshme dhe do të jenë njëlloj sikur e shohin takimin në stadiumet e nivelit të kërkuar nga UEFA anembanë Evropës. Siç dihet, do të jenë 100 gazetarë të akredituar në këtë sfidë, pasi kaq është vendi i tyre në tribunën kryesore të këtij impianti. Janë vendosur dy ekrane të mëdhenj në dy skajet e portave, të cilët do t’i japin një tjetër bukuri këtij stadiumi modern, që do të ketë për çdo sektor hyrjet dhe daljet e veta.
Edhe fonitë që kumbonin me muzikën në sfond, tregonin se do të jetë një mjedis i bukur më 11 tetor. Në datën 4 tetor pritet të inaugurohet stadiumi, ku do të zhvillohet një ndeshje miqësore midis ekipit të femrave të Elbasanit dhe atyre të Apolonisë. Akoma nuk vendosur përfundimisht, por gjasat janë që ajo të bëhet për të provuar nëse janë të gjitha gjërat gati për ndeshjen e kombëtares tonë me Danimarkën. Biletat do të shiten vetëm ditën e fundit, pasi atëherë kanë vendosur drejtuesit më të lartë të federatës në bashkëpunim me drejtorin e stadiumit.
Mendohet që të ketë tri pika shitjeje në Elbasan, një tek Teatri “Skampa”, një tek Pallati i Sportit dhe një tek Drejtoria e Policisë, pasi vetëm këto vende kanë sportele të rregullta. Këto ditë, siç dihet, pritet të vijë nga UEFA inspektimi i fundit për të marrë miratimin e plotë, i cili nuk është marrë zyrtarisht dhe inspektorët evropianë tashmë do të shohin nëse është i gatshëm 100% ky impiant për të pritur sfidën e kombëtares.