AlbanianSport.com 25.11.2014 07:05
ASNN – Dhuna ka qenë sërish e pranishme në shkallët e stadiumeve shqiptare. Në Elbasan Arena, stadiumin e ri të inauguruar vetëm dy muaj më parë, tifozët e dy skuadrave, Tiranës dhe Elbasanit kanë qenë protagonistë të incidenteve të dhunshme midis tyre duke shkatërruar stolat e stadiumit. Drejtori i “Elbasan Arena”, Dritan Kadia ka folur për dëmet që janë shkaktuar në këtë stadium pas ndeshjes Elbasani-Tirana.
Tifozët e Tiranës, por edhe ata të Elbasanit, janë bërë sërish protagonistë të incidenteve të dhunshme në stadiumet shqiptare, pas trazirave që ndodhën në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër pak kohë më parë. Në “Elbasan Arena”, mbrëmjen e së dielës, tifozët e Tiranës dhe ata të Elbasanit, gjatë ndeshjes midis këtyre dy skuadrave, kanë qenë protagonistë të akteve të dhunshme në shkallët e stadiumit.
Kur rezultati ishte i barabartë 2-2, në minutën e 60-të e takimit, ndeshja ndërpritet për shkak sharjeve dhe fyerjeve të ndërsjella dhe arrihet deri aty sa shkulen stolat e shkallëve të stadiumit, të cilët fluturojnë mbi kokat e tyre. Pas këtyre incidenteve ka reaguar drejtori i stadiumit “Elbasan Arena”, Dritan Kadia.
Klubi I Tiranës ka reaguar me anë të një deklarate për shtyp, nëpërmjet të cilës ka theksuar se tifozët e Tiranës janë provokuar nga fyerjet e tifozëve të Elbasanit. Megjithatë kjo gjë nuk duhet toleruar dhe bardheblutë u bëjnë thirrje tifozëve të tyre që të mos bien pre e këtyre provokimeve. Ndërkohë, i mbetet komisionit të disiplinës të marrë masat e duhura për këto ngjarje të rënda që po vazhdojnë të ndodhin në stadiumet shqiptare.