Gjergj Vyshka 22.05.2015 21:10
… Vijon nga dje
Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Basketbollit bën analizën e tij. Veprimtaritë, kombëtaret e moshave, kombëtarja e të rriturave dhe gjithçka tjetër në fokusin e tij. Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Korab Llazani, në një intervistë ekskluzive për AlbanianSport.com, ka bërë një analizë të gjerë të punës njëvjeçare të sportit të koshit në vendin tonë.
Basketbollit, për hir të së vërtetës duhet pranuar se për veprimtaritë kombëtare vjen i dyti pas futbollit, ka një shtrirje të gjerë. Veprimtarie jo vetëm me të rriturit dhe të rriturat, por dhe të rinjtë, të rejat, paratërinjtë, Nën-14-vjeçarët, Nën-12-vjeçarët dhe Nën-10-vjeçarët. Dhe për rrjedhojë tashmë janë krijuar dhe kombëtaret e moshave, të cilat bëhen gati të marrin pjesë në Kampionatet Evropiane.
Jo vetëm kaq, por në fokus është dhe kombëtarja e të rriturave, si dhe projekti për Shkollat e Basketbollit. Me të gjitha këto, ndonëse ka ende për të bërë, basketbolli shqiptar është kthyer gradualisht në një industri të rëndë. Por ajo që dhëmb është infrastruktura, e cila ka ende për t’u përmirësuar dhe për t’u rregulluar. Ja dhe pjesa e dytë e intervistës së Sekretarit të Përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Basketbollit, Korab Llazani, për AlbanianSport.com. Dje ishte pjesa e parë, ndërsa në ditët në vijim do t’ju sjellim edhe pjesët e tjera:
– Vllaznia e Flamurtari në kampionat, por dhe Apolonia në Kupën e Shqipërisë, apo Kamza Basket në Superkupën e Shqipërisë janë ekipet që kanë ngritur trofeun. A ishin realisht verdiktet normale të përfundimit të sezonit?
– Fituesit nuk gjykohen. Ajo që unë mendoj, si për meshkuj, ashtu dhe femra për kategorinë e te rriturve dhe të rriturave ka rritje cilësore. Kjo për faktin se kampionatet, kupat dhe Superkupat janë zhvilluar me rivalitet dhe me një interesim gjithnjë e më të madh te spektatorit. Ekipet nuk janë mjaftuar me lojtarët vendës, por kanë dalë dhe në tregun e huaj. Një fakt i tillë ka ndikuar pozitivisht në cilësinë e garës dhe në rritjen e interesimit të sportdashësve. Fazat përmbyllëse të të gjitha këtyre veprimtarive janë zhvilluar me sportivitet dhe në frymën e “Fair-Play”-it. Pavarësisht emocioneve të momentit, që janë të pranishme në sport. Unë dëshiroj të falënderoj të gjithë trajnerët, sportistët dhe drejtuesit e këtyre grupimeve për punën e tyre të palodhur dhe përkushtimin e treguar, për kapërcimin e të gjitha vështirësive, ekonomike dhe mungesës të infrastrukturës në përmbylljen me sukses të këtij edicioni. Nuk mund të lë pa përmendur kontributin e pazëvendësueshëm të gjyqtarëve, të cilët janë munduar që të japin më të mirën në mbarëvajtjen e veprimtarive.
– Përgjatë vitit kemi pasur dhe pjesëmarrje jo mbresëlënëse të Vllaznisë në Ligën Ballkanike. Për të qenë me konkurrues çfarë duhet bërë, qoftë dhe një formë sugjerimi për ekipet shqiptare?
– Pjesëmarrja në Ligën Ballkanike mendoj se ishte mënyra më e mirë për t’u ballafaquar me kundërshtarë të një niveli të përafërt me ne. Vllaznia, që mori pjesë për herë të parë në këtë veprimtari, mendoj se u penalizua nga eksperienca e pamjaftueshme si në organizim, ashtu dhe pjesëmarrje. Jam i bindur që pjesëmarrja kishte një ndikim pozitiv, sepse u krijua një eksperiencë, e cila do të shërbejë së tepërmi për të ardhmen. Tashmë ato e dinë se çfarë duhet dhe si duhet për të qenë më konkurrues. Këto veprimtari kërkojnë financa, profesionalizëm dhe mbështetje të gjithanshme për të lënë pastaj mbresa që tifozeria e zjarrtë shkodrane dhe ne te gjithë e dëshirojmë.
– Do të ketë rritje të skuadrave pjesëmarrëse për Shqipërinë në Ligën Ballkanike, apo sërisht do të ngelemi në rangun e skuadrës kampione?
– Ne kemi dërguar tek të gjithë anëtarët dokumentacionin e nevojshëm për një pjesëmarrje të tillë. Jemi akoma në kohë dhe mirëpresim çdo konfirmim për t’u bërë pjesë në këtë veprimtari.
– SIGAL Prishtina fituese e Ligës Ballkanike dhe tashmë do të marrë pjesë në Kupat e Evropës. Një formë për t’u ndjekur dhe nga klubet tona jo vetëm sportive, por dhe te zhvillimit të një klubi bashkëkohor?
– SIGAL Prishtina e fitoi me meritë këtë edicion të Ligës Ballkanike. Ky klub është i mirë organizuar, me financa dhe me personel profesional. Mbështetja dhe kushtet në të cilat ajo e zhvillon veprimtarinë e saj në sportin e basketbollit kanë një interes të jashtëzakonshëm për imagjinatën e klubeve tona. Mbështetja e gjithanshme ka bërë që ky klub gradualisht do të hedhe dhe hapa të tjerë.
Vijon nesër…