AlbanianSport.com 15.01.2016 23:35
ASNN – Saktësisht pas 14 orësh, kapitenia shqiptare, Arjola Prenga, do ta udhëheqë skuadrën e saj, Randabergun, në parketin e Pallatit të Sportit “Domus Atletika” në Oslo për t’u përballur me skuadrën vendase në finalen e Kupës së Norvegjisë në Volejboll për Femra. Skuadra e re, të cilës Arjola iu bashkua në verë pas një përvoje 3-vjeçare me ekipin e Stod Volejit (tashmë të shpërbërë), me të cilin fitoi dy herë titullin “kampion”, dy herë Kupën e Norvegjisë dhe u shpall dy herë fituese e Ligës Rajonale Nordike të Volejbollit për Femra, tashmë ka shkruar historinë duke shkuar, për herë të parë, në finale të veprimtarisë së dytë të rrjetës norvegjeze.
Kundërshtarja e saj, Oslo Volej, është fituese në fuqi e Kupës, pasi triumfoi vjet në finale pikërisht kundër Stod Volejit të Prengës, dhe vjen në finalen e 5-të radhazi. Trajneri i saj, Marko Miloseviç, pati deklaruar vjet duke buzëqeshur se Arjola Prenga është e vetmja lojtare në Kampionatin Norvegjez që Oslo Volej e ka si prioritet që ta bllokojë. Dhe ka shumë të drejtë, sepse sportistja shqiptare, me 103 pikët e shënuar deri më tani, nga të cilat 9 nga shërbimi, 82 në sulm dhe 12 në bllok, mban hëpërhë vendin e 4-t në renditjen e pikëshënueseve të këtij kampionati, por, krahas shoqes së saj të skuadrës, letonezes Jana Jaudzemas, e cila ka realizuar 109, mbetet favorite për ta fituar edhe këtë trofe simbolik.
Pavarsisht se skuadra e Prengës ka arritur për herë të parë në histori në finalen e Kupës së Norvegjisë dhe përballë ka një kundërshtare më me traditë dhe me më tepër përvojë, ajo që i jep epërsi psikologjike ekipit të shqiptares është forma e këtij sezoni. Në dy sfidat në kampionat, Randabergut fitoi 3-0 (25-23, 25-11, 25-17) në pasdreken e 10 tetorit 20-5, duke vijuar të kapërcente humbjen e dy seteve dhe të përmbyste në 3-2 (25-16, 26-24, 15-25, 16-25, 15-17), ndeshjen e dytë ndaj Oslo Volejit, të luajtur në kryeqytet më 1 nëntor 2015.
Vetë Arjola nuk ka dashur të flasë shumë në prag të kësaj përballjeje, pasi është e ndërgjegjshme që, përtej kontingjentit që Randabergu ka, finalja e Kupës ka veçorinë e saj dhe mund të vendosë shumë përvoja dhe forma në ditën e ndeshjes. “Kampionati ka treguar se, edhe falë trajnerit tonë Jon Eirik Liseth, skuadra ka arritur pjekurinë e nevojshme për të dhënë rezultat atëherë kur duhet dhe, fakti që në 7 takimet e deritanishme, kemi korrur vetëm fitore e dëshmon këtë”, – ka deklaruar ajo, duke folur ekskluzivisht për AlbanianSport.com nga kryeqyteti norvegjez, ku edhe do të luhet të shtunën finalja.
“Megjithatë, finalja e Kupës mbetet finale dhe kërkon përqendrim maksimal, – ka vijuar ajo. – Unë kam besim te vajzat dhe unë besoj që, arritjes për herë të parë deri në finale të Kupës nga ana e Randabergut, ne do t’i shtojmë edhe një trofe, një trofe që unë uroj të jetë vetëm e para në një vazhdë të gjatë.” Finalja e Kupës së Norvegjisë në Volejboll për Femra do të luhet të shtunën, duke nisur nga ora 14:30 në Pallatit të Sportit “Domus Atletika” në kryeqytetin norvegjez, Oslo, dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në kanalin e dytë të Televizionit Kombëtar vendas, TBV2.