AlbanianSport.com 15.08.2015 21:55
ASNN – Përtej rezultateve që kanë qenë modeste, Shqipëria e basketbollit ka përfituar një përvojë të çmuar nga pjesëmarrja e saj në Eliminatoret e Evropianit me 5 ekipe përfaqësuese grupmoshash. Kështu ka theksuar duke folur ekskluzivisht për AlbanianSport.com, anëtari i Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Basketbollit, Ilir Taflaj, i cili tërheq vëmendjen se infrastruktura sportive është shndërruar në një problem për basketbollin shqiptar në arenën ndërkombëtare.
Pjesëmarrja e Shqipërisë në Eliminatoret e Evropianit me 5 ekipe përfaqësuese grupmoshash është cilësuar nga Taflaj, si një mundësi e vyer për përfitimin e përvojës ndërkombëtare nga sportistët e rinj. “Është e vërtetë që paraqitja dhe rezultatet ishin modeste, por, nga ana tjetër, ishte një nismë jashtëzakonisht pozitive, madje mund të them, e artë, për basketbollin shqiptar, përfaqësimi me 5 ekipe të rinjsh në Kampionatet Evropiane”, – ka thënë ai
“Në këtë këndvështrim, unë nuk do ta vija theksin tek rezultatet, si vit i parë i përfaqësimit masiv, por do ta vija theksin tek mënyra e përfaqësimit, tek përfitimi i përvojës dhe tek kristalizimi i disa elementëve që do të na ndihmojnë në të ardhmen që ta ndjekim në vazhdimësi këtë nismë shumë pozitive”, – ka shtuar Taflaj, për të cilin, infrastruktura sportive është shndërruar në një problem për basketbollin shqiptar në arenën ndërkombëtare.
“Fatkeqësisht, kjo është një nga pikat e dobëta të sportit shqiptar dhe më konkretisht të basketbollit shqiptar, – ka thënë ai. – Përveç kalimit nga një sistem, në tjetrin, përveç mungesës së shkollës së basketbollit, është edhe infrastruktura, e cila lë shumë për të dëshiruar.” Taflaj beson se, pas ndërtimit të stadiumeve të futbollit, i ka ardhur radha ndërtimit të një pallati sporti modern. Në orët në vijim do t’jua sjellim të plotë, me video dhe tekst, intervistën ekskluzive që Taflaj dha për AlbanianSport.com