Nga Fatjon Kodra 25.08.2015 11:15
Skënderbeu pritet të luajë atë që mund të jetë akti final i një vere historik për klubin korçar, por edhe për futbollin shqiptar. Skuadra vjen në ndeshjen e kthimit me disa ndryshime, ku spikat mungesa e bomberit Hamdi Salihi, të larguar tashmë drejt Izraelit, por edhe rikthimit të Arapit në mbrojtje pas një pezullimi prej 3 ndeshjesh. Trajneri Josa ka vendosur të eksperimentojë duke vendosur mesfushorin e talentuar Latifi në majë të sulmit i mbështetur nga Berisha në të majtë dhe Eskuerdinja në të djathtë.
Braziliani është aktivizuar si mbrojtës në ndeshjet e fundit nga Josa. Në pamje të parë duket sikur Skënderbeu nuk ndien presion dhe vendos të bëjë prova përballë një rivali që qëndron më lart në çdo aspekt me klubin shqiptar. Pra, duket sikur kampionët janë pajtuar me eliminimin pas humbjes 2-1 në Elbasan dhe tani luajnë me qarin. Dinamo e Zagrebit pritët të luajë me një formacion të ngjashëm me atë të takimit të parë, duke mbajtur sërish disa nga titullarët jashtë.
Të gjithë shpresojnë në një mrekulli, por duket se shumë faktorë janë kundër Skënderbeut. E rëndësishme në këtë pikë është që kampionia korçare të bëjë një paraqitje dinjitoze dhe të shmangë një turpërim sot në stadiumin “Maksimir”. Do të ishte diçka e bukur nëse Skënderbeu e mbyll me nder dhe shkon me kokën lart në grupet e Europa League, por edhe nëse ndodh ndryshe përsëri ishte një histori suksesi.
Sido që shkojë, skuadra shqiptare do të luajë shanset e saj dhe ndoshta do të ketë edhe fatin në anën e saj për të bërë një befasi. Fundja, futbolli prandaj është i bukur sepse është i paparashikueshëm…