AlbanianSport.com 17.01.2016 17:55
ASNN – 24 orë pasi ka shijuar trofeun e saj të 6-të në volejbollin norvegjez të femrave, Arjola Prenga është tashmë më e qetë, por jo më pak e gëzuar. Pasi janë fashitur emocionet e ndeshjes, të triumfit, të ceremonisë së trofeut dhe festës që vijoi më pas, tashmë 29-vjeçarja është më e qetë dhe reflekton mbi atë që ka përjetuar. “Për mua ky ishte suksesi i 6-të në volejbollin norvegjez të femrave, pra, në njëfarë mënyre, e kisha përjetuar edhe më parë këtë përvojë dhe këto emocione”, – thotë ajo, duke folur ekskluzivisht për AlbanianSport.com nga kryeqyteti Oslo.
“Por ky triumf këtë radhë ishte i veçantë, sepse unë e arrita atë me një skuadër të re, siç është Randabergu, e për më tepër, kur kjo skuadër shkonte për herë të parë në finalen e Kupës dhe e fitonte për herë të parë këtë trofe, – ka vijuar Arjola. – Kjo u arrit falë punës që është bërë gjatë këtyre dy viteve të fundit në ngritjen e këtij klubi dhe për politikën e duhur të planifikimit dhe administrimit që është ndjekur. Natyrisht, pa ndërthurjen e këtyre elementëve me investimin në potencialin sportiv dhe njerëzor, nuk do të ishim në këtë finale dhe nuk do ta fitonim këtë trofe.”
Volejbollistja shqiptare, e cila mban edhe shiritin e kapitenes së skuadrës së saj, vlerësoi punën e bërë nga trajneri i ri, Jon Eirik Liseth dhe stafi i tij teknik, duke theksuar se Randabergu bëri një finale “perfekte”. “Ndryshe nga ndeshjet e kampionatit, ku shënueset e pikëve kanë spikatur, këtë radhë loja u shpërnda në të gjithë skuadrën, si përsa u përket pikëve të realizuara nga secila lojtare, por edhe sa i përket kontributit që ato dhanë në parket”, – shpjegon Prenga, e cila, së bashku me lituanezen Jaudzema realizuan nga 11 pikë.
Shqiptarja dhe baltikja janë shënueset më të mira të skuadrës së Randabergut në kampionat, me një mesatare prej rreth 15 pikë prej ndeshje dhe duken se do të jetë në “një garë” deri në fund të sezonit, për kurorën simbolike të realizueses më të mirë. “Ishte kjo lojë e përsosur, e cila, përtej mungesave që kishte ekipi kundërshtar, Oslo Voleji, na dha epërsinë në parket dhe na dha atë rezultat që, në pamje të parë, të krijon përshtypjen e një fitoreje të lehtë. Por nuk ishte aspak kështu, sepse Oslo Voleji vinte në të 5-tën finale radhazi dhe kjo nuk ishte rastësi.”
Në sfidën e zhvilluar në parketin e Pallatit të Sportit “Domus Atletika” në Oslo, skuadra e Arjolës e ka fituar setin e parë 25-19, ndërsa në setin e dytë, pavarsisht se kryeqytetaset krijuan idenë e një reagimi, duke kryesuar deri në 5-0, Randabergu do të vijojë të përmbysë gjithçka, duke fituar 25-19. Edhe seti i tretë do të flasë për ekipin e shqiptares, që e fiton atë me shifrat 25-19 dhe gjithë takimin me rezultatin e përgjithshëm 3-0. Trofeu i Kupës së Norvegjisë, tepër i veçantë në pamjen e jashtme, i është dorëzuar Prengës, e cila ka vijuar të festojë me pjesën tjetër të skuadrës.
Megjithatë, ajo këmbëngul se tanimë festa ka mbaruar dhe skuadra e saj duhet ta kthejë vështrimin drejt kampionatit, ku kryeson bindshëm. Randabergu ka 20 pikë nga 7 ndeshje të zhvilluara dhe është 4 pikë e shkëputur në krye nga ndjekësja më e afërt dhe rivalja më e madhe, Oslo Voleji, që ka marrë 16 pikë në 8 ndeshje. “Jemi në rrugë të mbarë, por kemi bërë vetëm gjysmën e rrugës dhe nuk mund të flemë mbi dafina. Prandaj na duhet përqendrim”, – përfundon volejbollistja shqiptare, Arjola Prenga, duke folur ekskluzivisht për AlbanianSport.com.