AlbanianSport.com 19.10.2015 13:25
Çështja e rregullores së transferimit të lojtarëve dhe lojtareve të volejbollit ka krijuar një pështjellim në komunitetin e këtij sporti, ndërsa ka patur edhe reagime të protagonistëve. Njëri nga zërat më të fortë ka qenë ai i volejbollistes së mirënjohur, Klonarda Nezaj, e cila, e pyetur nga AlbanianSport, ka vënë në dukje edhe shkeljet që paraqet kjo rregullore në aspektin sportiv dhe juridik.
“Në lidhje me asamblenë dhe rregulloren e re të Federatës, sigurisht që nuk ka fare sens, sepse nuk ka asnjë logjikë, – ka thënë ajo, duke folur për faqen tonë. – Kur përfundon një afat, veprimi juridik, pra, kontrata, përfundon, dhe për të dyja palët nuk ka më të drejta dhe detyrime. Ndërsa sipas kësaj rregulloreje, edhe pse të ka përfunduar kontrata, ti vazhdon të kesh detyrime ndaj ekipit.
“Nga sa kam informacione, kjo rregullore nuk është referuar te asnjë nga legjislacionet e vendeve që ne si shtet zakonisht referohemi, dhe është drejtpërdrejt shkelje e të drejtave të volejbollistëve, – ka theksuar Nezaj. – Në asamblenë e zhvilluar sërish nuk ka pasur ndonjë ndryshim, ku minimalja duhet të kishte prani të një përfaqësuesi të interesave të lojtarëve, të cilët janë aktorët kryesorë të këtij sporti.”
“Kjo rregullore sigurisht që do të jetë një minus dhe degradim i madh për këtë sport, drejtuesit e të cilit po e shkatërrojnë atë, duke e përdoruar për interesa personale, – ka këmbëngulur ish-lojtarja e Barleti Volejit. – Pas peticioneve drejtuar FSHV, Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Agjencisë së Sporteve, përfaqësuesit e tyre kanë qenë të vetmit që e kanë kundërshtuar këtë rregullore.”
“Në këto kushte ne po përgatisim një peticion drejtuar Këshillit ë Arbitrazhit Sportiv (KAS), dhe KOKSH-it”, – ka pohuar Nezaj, e cila ka shpjeguar se ka qenë organizatorja e këtyre peticioneve, në bashkëpunim me lojtaret e tjera, duke qenë se ka njohuri në fushën e drejtësisë, sepse është juriste. Më tej, ajo ka sqaruar se kjo është një kauzë për të cilën ajo lufton në parim, pasi çështje personale e ka zgjidhur tashmë.
“Në lidhje me ekipin, unë do aktivizohem me ekipin e Tiranës, dhe çështjen e 2 milionëshit e kam të zgjidhur nga klubi, por e kam ndjekur këtë kauzë për arsye sepse është për të ardhur keq, pasi, për shkak të saj do digjen shumë lojtare të reja në vazhdim”, – ka përfunduar volejbollistja e mirënjohur, Klonarda Nezaj.