Nga Endrit Sauku 25.08.2015 14:35
Mirel Josa ka bërë një punë të mirë me Skënderbeun duke e çuar më larg se çdo ekip shqiptar. Një punë që klubi korçar e ka nisur 5 vjet më parë, në sfidën me APOEL-in e Nikozisë. Me pak përforcime dhe më tepër lojtarë të cilët janë boshti i skuadrës rezultatet u arritën. Përpjekjet u shpërblyen dhe vera e klubeve shqiptare në Evropë nuk ishte e shkurtër.
Ndeshjet në grupe janë të sigurta, të “kupës me veshë të mëdhenj” apo të asaj më të vogël, por që në vendin tonë ka vlerë. Krusejdërs dhe Milsami ishin kundërshtarë më të lehtë, por jo të dobët. Dinamo Zagreb me shumë përvojë në kontinent, aq sa edhe me lojtarë të rinj si Pjaca apo Çoliç, të cilët dukeshin sikur kishin vite përvojë se vitet që mbanin në supe.
Nisja e Skënderbeut në Elbasan ishte e vrullshme aq sa lojtarë iu mbarua fryma dhe kroatët ia dolën duke qenë më të freskët. Skënderbeu me një stol luksoz për Shqipërinë nuk u paraqit i tillë për Evropën. Presidenti Ardjan Takaj pranoi se do të ketë përforcime për një sezon të lodhshëm, që, deri në dhjetor, është e sigurt që do të luftohet në 3 fronte.
Hamdi Salihi, afrimi i përkohshëm dha rezultat, por tani sulmi do të tjerë lojtarë cilësorë. Arkat e mbushura të klubit, tani me miliona euro duhet të vihet në shërbim të merkatos. Ekipe të nivelit të Dinamo Zagrebit apo më të fortë nuk do të përballohen vetëm me Shkëmbin e Shehin, prandaj duhen të tjerë. Skënderbeu duhet të pretendojë përsëri për të ecur në Evropë, edhe sot “Maksimir”, pse mos të guxojë?