Ekskluzive / De Biazi në 360 gradë, Kombëtarja, Shqipëria, feja & “Francë 2016”-a (Video)

Share Button

ABK-De-Biazi-tjeter

AlbanianSport.com 11.04.2015 19:20

ASNN – Përtej optimizmit që ka ngjallur fitorja me Armeninë dhe fakti që Shqipëria është shumë pranë kualifikimit për një veprimtari madhore futbollistike, Xhovani De Biazi është një njeri me këmbët në tokë dhe këtë kërkon edhe nga skuadra e tij. Në një një intervistë ekskluzive për AlbanianSport.com, trajneri i Kombëtares kuqezi bën një analizë të punës së tij 3-vjeçare, flet për shanset e Shqipërisë për t’u kualifikuar për në Euro 2015, si dhe u përgjigjet kritikëve të skemave dhe zgjedhjeve të tij.

De Biazi shpreson te drejtësia në Lozanë pas pak ditësh, si dhe zbulon anën “shqiptare” të tij. Euforia dhe festa e fitores për Armeninë është fashitur tashmë dhe Xhovani De Biazi është një njeri i qetë, që ka ardhur në Tiranë për një vizitë dyditore, për t’u kthyer më pas në Itali. Në këtë intervistë ekskluzive, ai thotë se Parisi dhe Franca janë ende larg se për t’u kualifikuar për në Euro 2016 ka ende shumë për të bërë. Për De Biazin, Kombëtarja po korr tani frytet e punës së bërë gjatë viteve të para si trajner i kuqezinjve dhe nuk është thjesht çështje fati.

Ndërsa për kritikët e skemave të tij dhe përzgjedhjes së formacionit, ai u përgjigjet se Shqipëria duhet të jetë e ndërgjegjshme për potencialin e saj. Vetëm pak ditë na ndajnë nga vendimi i KAS-it për ndeshjen Serbi-Shqipëri dhe Xhovani De Biazi shpreson tek vendosja e drejtësisë. Trajneri i Kombëtares kuqezi sqaron se nuk është supersticioz dhe se, në ato pak raste që shkon në kishë, nuk lutet për futbollin. De Biazi ndjehet gjithnjë e më shqiptar, ndonëse ka gjëra që i pëlqejnë këtu, si dhe ka diçka që nuk e pëlqen.

Trajneri kuqezi e çmon dhënien e nënshtetësisë shqiptare se vlerësim të punës së tij, ndërsa edhe pagëzimin në rrjetet sociale një emër shqiptar, e ka marrë një shaka mjaft të këndshme. Ja intervista e tij e plotë, me tekst dhe video:

 

– A ka filluar t’i shohë De Biazi konturet e Parisit që këtu nga Tirana?

– Jo, sigurisht që jo, sepse jemi ende në mes të rrugëtimit tonë dhe prandaj nuk e shohim dot akoma me sy Parisin dhe duhet të qëndrojmë këtu, me këmbët në tokë. Në shtator kemi dy ndeshje shumë të vështira, më datë 4 me Danimarkën dhe 7 me Portugalinë, dhe këto janë me të vërtetë dy sfida duhet t’i kapërcejmë.

 

– Po çfarë ka ndryshuar tek kjo Shqipëri, që tashmë me ju e sheh veten më pranë se kurrë më parë shkuarjes në fazën finale të një veprimtarie madhore futbollistike ndërkombëtare?

– Ka ndryshuar ajo që kemi punën e dy viteve të mia të para, ku, sipas meje, kemi bërë një punë të mirë për rinovimin e grupit të lojtarëve dhe kemi arritur të gjejmë lojtarë të mirë, që po punojnë për grupin dhe po japin gjithçka për Kombëtaren tonë.

 

– Thonë që fati ndihmon guximtarët, por a do ta cilësonit veten me fat që keni ardhur me Shqipërinë në prag të një arritjeje historike, apo këtë e keni menduar që ditën e parë që jeni ulur në stolin kuqezi…?

– Fati gjithmonë është aty dhe të ndihmon, sidomos kur është i mirë. Por unë besoj se ju e mbani mend që kur erdha në Shqipëri, po mbyllej një cikël i kësaj skuadra, ishin shumë lojtarë të rëndësishëm, të tillë si Bogdani apo Lala, të cilët po e mbyllnin me fanellën kuqezi dhe prandaj ishte një periudhë e vështirë. Dyvjeëari i parë nuk ka qenë i lehtë, por besoj se kemi bërë një punë të mirë dhe prandaj edhe presidenti Duka vendosi të na ofrojë rinovimin e skuadrës. Pra, më tepër sesa fati, ka qenë të punuarit me seriozitet dhe rigorozitet dhe për një projekt të së ardhmes.

 

– Ju kanë kritikuar shpesh, sikundër ndodhi edhe në ndeshjen e fundit, atë me Armeninë, që, për më tepër që jeni edhe italian, ju keni prioritet mbrojtjen dhe mospësimin e golit dhe se, sikundër është vërejtur shpesh, po të guxoni më tepër me zgjedhjet dhe skemat tuaja, kjo Kombëtare kuqezi e gjen më shpejt dhe më bindshëm golin dhe fitoren…?

– Më duket normale që të ketë kritika, sepse të gjithë trajnerët e Kombëtares kritikohen, qoftë ku fitojnë, qoftë kur humbin. Unë besoj që nëse kritikat vazhdojnë kështu, unë jam i kënaqur sepse ato tregojnë që gjërat po shkojnë mirë. Por besoj se një skuadre që të ecë përpara, një skuadre si Shqipëria, i duhet të ruajë baraspeshën, prandaj nuk duhet të rrezikojmë duke u hedhur në sulm dhe duke prishur ekuilibrat, sepse rrezikojmë të bëjmë një figurë të keqe ndaj skuadrave si Danimarka apo Portugalia, që janë skuadra mjaft të të mira teknikisht sesa ne dhe të ndëshkojnë.

 

– Një numër lojtarësh kuqezi, siç është rasti i kapitenit Cana, nuk po kanë minuta të mjaftueshme me klubet e tyre. A përbën ky një problem për De Biazin dhe si keni menduar ta zgjidhni…?

– Qartësisht, ku një lojtar luan normalisht, për mua do të ishte shumë mirë, por, në anë tjetër, kur luajnë shumë, rrezikojnë të dëmtohen apo të humbasin formës, sepse janë të lodhur dhe të stërmunduar. Për shembull, është e vërtetë që Cana nuk po luan rregullisht te Lacio, por në stërvitje ai përkushtohet sikur të ishte në një ndeshje dhe vjen tek ne më i freskët dhe më në formë.

 

– Jemi vetëm pak ditë larg vendimit të Lozanës, e për më tepër pak ditë pas vendimit të UEFA-s për ndeshjen Mali i Zi-Rusi. A mendoni se ka drejtësi për vendet e vogla apo të mëdhatë do të vazhdojnë të bëjnë ligjin…?

– Kemi një shpresë, një shpresë se do të vendoset drejtësia. Besoj që ajo që ndodhi me Rusinë në Malin e Zi mund të jetë një motiv për ne për të shpresuar që do të bëhet drejtësi. Në Beograd, ne nuk u krijuan kushtet për të bërë një ndeshje normale dhe prandaj shpresoj që në Lozanë të vendoset drejtësia, sepse ajo humbje në tavolinë që na dha UEFA na penalizon, sepse kjo humbje, është e vetmja që ne kemi pësuar në këto Eliminatore. Pra, na ka mundur vetëm Disiplina.

 

– A është supersticioz Xhovani De Biazi dhe a keni ndonjë ritual apo praktikë, qoftë kjo edhe fetare, që ndiqni përpara apo edhe gjatë ndeshjeve…?

– Dua ta sqaroj njëherë e mirë për të gjithë, që në Elbasan kam shkuar në Kishë sepse ishte e diela e Pashkëve përpara dhe sepse po kalonte një procesion dhe dikush më ftoi nëse doja të shkoja në kishë. Për kortezi shkova, por unë jam katolik, por nuk jam shumë praktikues i fesë. Përveç kësaj, nëse shkoj në kishë, i lutem Zotit për shëndetin e time bije, sime shoqeje dhe të miqve të mi dhe jo për fitoren e Shqipërisë apo për një ndeshje futbolli. Zotin e kam për punë të tjera dhe jo për futbollin.

 

– Pra, nuk jeni supersticioz?

– Dikur kam qenë supersticioz, por tani për tani, supersticioni është diëka që nuk u përket botës sime.

 

– Përtej pasaportës shqiptare, në konferencat tuaja për shtyp, të krijohet ideja se ju kuptoni shqip më tepër sesa ç’e tregoni në të vërtetë. Është e vërtetë kjo dhe nëse po, ku është De Biazi me gjuhën shqipe…?

– Për mua, pasaporta shqiptare ishte një vlerësim për punën që unë kam bërë për këto 3 vjet e 3 muaj që jam në Shqipëri. Mund të them se jam shndërruar në një ambasador për promovimin edhe të Shqipërisë si vend dhe besoj që kjo i ka shkuar në vesh presidentit Nishani, të cilin e falënderoj, dhe jam mirënjohës për këtë dhuratë që mu bë.

 

– Po përsa i përket gjuhës?

– Sa i përket gjuhës, për punën që bëj dhe për faktin që lëviz shumë nëpër Evropë, më duhet më shumë gjuha angleze sesa shqipja, ndonëse, kudo që të shkoj, do ta gjej një shqiptar.

 

– A keni menduar të jetoni në të ardhmen “full-time” në Shqipëri dhe a keni menduar të investoni këtu në shtëpi, biznes apo pasuri të patundshme…?

– Një shtëpi tjetër?! Kam boll (qesh). Nuk e kam menduar të jetoj këtu, sepse më duket më e leverdishme ekonomikisht, që duke qenë se lëviz mjaft, të nisem nga Italia, ku kam edhe familjen.

 

– Çfarë është ajo që ju pëlqen dhe ajo që nuk ju pëlqen veçanërisht për Shqipërinë dhe shqiptarët…?

– Ka gjëra për shqiptarët që më pëlqejnë e të tjera që nuk më pëlqejnë. Shqiptarët më pëlqejnë se janë miqësorë, si italianët e dikurshëm, jam mikpritës dhe bujarë me mikun dhe kjo më pëlqen. Një nga gjërat që nuk më pëlqen është se në mjedise publike ende pihet duhan dhe kjo më acaron.

 

– A e dini që ju kanë pagëzuar me një emër shqiptar (Gani Abazi) dhe si ju është dukur kur e dëgjuat…?

– Besoj se është diçka humoristike, por në pasaportën time shqiptare shkruhet Xhovani de Biazi. Sidoqoftë, pagëzimi me këtë emër ishte diçka simpatike dhe e çmoj si të tillë.

Artikuj të tjerëFaqja Kryesore

FSHF / Seminari i së Drejtës Sportive, Duka: Futbolli, një fenomen global

FSHF / Seminari i së Drejtës Sportive, Duka: Futbolli, një fenomen global

AlbanianSport.com 15/03/2024 22:10 ASNN – Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) organizon Seminarin

Luhen 3 takime të javës së 12-të, ai i 4-ti, Tirana-Partizani, më 20 mars

Luhen 3 takime të javës së 12-të, ai i 4-ti, Tirana-Partizani, më 20 mars

AlbanianSport.com 15/03/2024 21:15 ASNN – Vllaznia e Erzeni fitore me shije “play-off”-i, Studenti

Mbyllet java e 17-të, Besëlidhja nuk ndalet, ka luftë për vendin e 4-t

Mbyllet java e 17-të, Besëlidhja nuk ndalet, ka luftë për vendin e 4-t

AlbanianSport.com 15/03/2024 19:25 ASNN – Besëlidhja komandon e vetme Superligën, sfidë e fortë

Kombëtarja / Silvinjo shpall listën, kthehet Manaj & Broja, debuton Hoxha

Kombëtarja / Silvinjo shpall listën, kthehet Manaj & Broja, debuton Hoxha

AlbanianSport.com 15/03/2024 18:30 ASNN – Miqësoret ndaj Kilit & Suedisë, trajneri Silvinjo publikon

Luhen dy takime të tjera të javës së 12-të, fiton Pogradeci & Vllaznia

Luhen dy takime të tjera të javës së 12-të, fiton Pogradeci & Vllaznia

AlbanianSport.com 15/03/2024 17:35 ASNN – Superliga, Pogradeci dhe Vllaznia fitore me shije “play-off”-i

  

Kuqezinjtë në “Gjermani 2024” – Vendi Organizator & Të rejat më të fundit

banner
banner
banner

Arkiva

banner
banner
banner
banner
banner
banner

Kontakte dhe informacione

Rrjeti Shqiptar i Lajmeve Sportive (ASNN)

PR & Marketing:
Gentiana Kodra (Pine)

Rrjetet Sociale

Rreth Nesh