AlbanianSport.com 09/08/2020 23:10
ASNN – Natyrisht, 5 futbollistët shqiptarë që kanë luajtur tek Lokomotiva e Zagrebit kanë qenë vendimtarë në suksesin e skuadrës së tyre drejt tureve eliminatore të Ligës së Kampioneve. Por si e vlerësoni paraqitjen e këtyre lojtarëve shqiptarë tek Lokomotiva zbuluesi i tyre, Besnik Prenga? “Me thënë të vërtetën, këtë vit ishte kënaqësi të ishe shqiptar në Zagreb e sidomos për mua ishte një kënaqësi e madhe, pasi Lokomotiva, për herë të parë, fitoi të drejtën të marrë pjesë në turet eliminatore të Ligës së Kampioneve dhe kjo ishte kënaqësi e madhe”, – pohon ai.
“Në radhët e saj, skuadra kishte 5 shqiptarë dhe secili prej tyre dha maksimumin, dha lojëra të bukura dhe rritën nivelin e lojës së Lokomotivës. Isha shumë, shumë i kënaqur dhe jam shumë krenar nga paraqitja e tyre gjatë këtij viti, – vijoi ish-trajneri i Laçit. – Mund të them që, të 5 lojtarët, që nga Myrto Uzuni, që ishte më i madhi në moshë, dhe deri tek Indrit Tuci, që është më i vogli, dhanë një kontribut shumë të madh për Lokomotivën dhe treguan lojëra të bukura. Lirim Kastrati ishte i pari që u shkëput nga Lokomotiva, duke firmosur së fundmi me Dinamon e Zagrebit.”
“Kurse Uzuni më pas u transferua në Hungari, tek Ferencvaroshi, – sqaroi Prenga, duke folur posaçërisht për AlbanianSport.com. – Unë mund të them që, në rrugën e tyre janë edhe shqiptarët e tjerë. Janë të 3 lojtarë që me pjesëmarrjen dhe me aktivizimin e tyre tek Lokomotiva u rritën, si në anën teknik-taktike, rritën formën e tyre dhe u bënë pjesëtarë të Kombëtares së Nën-21-vjeçarëve të Shqipërisë. Dhe unë mendoj se rruga e tyre është e hapur dhe, së shpejti, mund të presim që të debutojnë edhe me ekipin kombëtar të të rrituve.”
“Sidoqoftë, pres gjatë këtij viti që të bëjnë një paraqitje shumë të mirë, të rrisin nivelin e tyre dhe të jenë gati për të bërë një hap edhe më të madh në futboll. Me pak fjalë, shqiptarët në Kroaci, por sidomos në Lokomotivën e Zagrebit, gëzojnë një emër të madh dhe këta 5 lojtarë që luajtën këtë vit tek skuadra jonë, u kanë hapur rrugën edhe shqiptarëve të tjerë. Pra, Lokomotiva i mirëpret shqiptarët dhe ne do të bëjmë maksimumin që ata të vijnë gjithmonë tek klubi ynë”,- ka përfunduar zbuluesi kryesor i talenteve të klubit të dytë të kryeqytetit kroat, Besnik Prenga.