AlbanianSport.com 05.12.2015 12:15
ASNN – Joshja e pjesëmarrjes në fazën finale të një Evropiani duket se e ka bërë Besart Berishën të ëndërrojë rikthimin me fanellën kuqezi. Por një gjë e tillë duket se ka pak gjasa të realizohet, pasi, duke folur për AlbanianSport.com, trajneri i Kombëtares, Xhovani De Biazi, i ka mbetur besnik idesë se në Evropianin e vitit të ardhshëm do të shkojë me grupin që ka në dispozicion.
Ish-sulmuesi i Kombëtares, Besart Berisha, ka shprehur dëshirën për t’u rikthyer me fanellën kuqezi, por duket se kjo do të mbetet vetëm një dëshirë, pasi për trajnerin e Shqipërisë, Xhovani De Biazi, kjo është thuajse e pamundur. Duke folur pak ditë më parë pas rinovimit edhe për dy vjet të tjera me skuadrën e Mellbërn Viktori në kampionatin australian të futbollit, 30-vjeçari theksoi se ekzistonte një mundësi për të luajtur.
Dhe, nëse thërritej, shtoi kosovari, ai ishte i gatshëm të kontribuonte për Shqipërinë në fazën finale të Evropianit të vitit të ardhshëm. Megjithatë, në një komunikim elektronik me AlbanianSport.com, trajneri i Kombëtares kuqezi, Xhovani De Biazi ka qenë mjaft evaziv, duke i mbetur idesë se në Evropianin e vitit të ardhshëm do të shkojë me grupin që ka në dispozicion.
I pyetur mbi deklaratat e Berishës se italiani e ka telefonuar vazhdimisht për të ardhur në Kombëtare që nga vitit 2011-të, kur u zhvendos në Australi, De Biazi është përgjigjur se ka 3 vjet që nuk ka biseduar me ish-sulmuesin e Hamburgut, duke lënë të nënkuptohet se tashmë për të ky është një kapitull i mbyllur.
Në përfundim, 60-vjeçari italian me pasaportë shqiptare nuk ka pranuar të komentojë nëse Besart Berisha do të ishte zgjidhja e sulmit për Shqipërinë, e cila, midis 24 përfaqësueseve finaliste të Francë 2016, ishte skuadra që shënoi më pak gola gjatë Eliminatoreve.