Altin B. Kodra (ASNN) 26.09.2014 14:35
ASNN – Me shpalljen e kampionëve të vendit në fundjavë që rezervoi edhe një rekord kombëtar me Daniel Godellin, Federata Shqiptare e Peshëngritjes ka nisur punën me përzgjedhjen e kandidatëve për Botërorin e Kazakistanit, që do të mbahet nga data 4, deri më 16 nëntor 2014. Në një takim me dy trajnerët e kombëtares, Sokol Bishanaku e Zef Kovaçi, dhe Sekretarin e Përgjithshëm, Muharrem Berisha, presidenti i Federatës, Elez Gjoza, ka bërë një planifikim të numrit të sportistëve në peshat respektive përpara vendimit përfundimtar që do të japë kryesia.
“Paraprakisht u ra dakord që pjesë e ekipit kombëtar të Botërorit të jenë për meshkuj një sportist i peshës 62 kg, dy të peshës 77 kg, dy të peshës 85 kg, dy të peshës 94 kg dhe një sportist i peshës 105 kg”, – ka deklaruar duke folur ekskluzivisht për AlbanianSport.com nëpërmjet linjës telefonike Sekretari i Përgjithshëm i Federatës, Muharrem Berisha. Sipas Berishës, në peshën 62 kg do të konkurrojë shkodrani Emanuel Lushi, ndërsa në peshën 77 kg është i konfirmuar kampioni shqiptar i kontinentit, Erkand Qerimaj, nënkampioni i Evropës, Daniel Godelli, por edhe i rikthyeri nga pezullimi për shkak të dopingut, Hysen Pulaku.
Në peshën 85 kg, në pedanë do të ngjitet Krenar Shorja dhe Xhulio Prroni, ndërsa dy sportistë të tjerë, Endri Haxhihyseni dhe Sopot Sula do të jenë kontingjenti i peshës 94 kg. Megjithatë, sikundër ka sqaruar Berisha për AlbanianSport.com, njëri prej këtyre sportistëve, me shumë gjasa i riu Sopot Sula, mund të zhvendoset të konkurrojë në peshën 105 kg (ku zakonisht konkurronte shkodrani Isa Bala), me synimin që t’i sigurojë Shqipërisë pikë të vlefshme në rrugëtimin drejt kualifikimit të sportistëve për në Lojërat Olimpike të 2016-s.
Ndërsa për femra kandidate e sigurt është Romela Begaj, por edhe Shqiponja Brahja, ndonëse kjo e fundit është në pikëpyetje, edhe për arsye sepse rikthehet pas një pezullimi për shkak të dopingut. Kryesia e Federatës së Peshëngritjes nuk e ka finalizuar ende listën përfundimtare, por është e sigurt se Shqipëria do të shkojë në Botëror me të paktën 8 sportistë. Megjithatë, deri në shpalljen finale të emrave do të ketë edhe testime të tjera dhe nuk përjashtohet mundësia që, me qëllim përfitimin e përvojës, në Botërorin e nëntorit në Kazakistan të dërgohen edhe disa peshëngritës së rinj.
Një i tillë është Bruno Muho, i cili do të konkurrojë në një peshë të pazakontë për peshëngritjen shqiptare, në atë të peshës 56 kg. Botërori i Kazakistanit, së bashku me Evropianin dhe Botërorin e vitit të ardhshëm, si dhe me Evropianin e pas dy viteve janë kualifikues për në Lojërat Olimpike “Rio 2016” që do të mbahen në Brazil.