AlbanianSport.com 21.08.2015 20:25
ASNN – Gjendja e Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet nuk i përmbush kushtet e kërkuara nga Federata Botërore e Basketbollit (FIFA) dhe Kombëtaret shqiptare të këtij sporti rrezikojnë t’i luajnë jashtë vendit ndeshje e tyre. Ky është alarmi që kanë dhënë inspektorët e FIFA-s, të cilët kanë parë nga afër mjediset e këtij Pallati Sporti, duke vendosur edhe afatet përsa i përket kushteve për ndeshjet ndërkombëtare.
Pas disa vitesh mungesë, Shqipëria do të marrë pjesë në Eliminatoret e Kampionatit Evropian të Basketbollit për Femra dhe, për këtë qëllim, ka mbërritur në Tiranë një përfaqësuese e FIBA Evropës, e cila ka inspektuar gjendjen e Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet. Duke folur për AlbanianSport.com, inspektorja Shined Gordon, ka parashtruar kërkesat e FIBA-s përsa i përket infrastrukturës.
“Ky Pallat Sporti ka nevojë për një rinovim, pasi nga ky inspektim i parë i yni ka disa kushte që nuk do të pranoheshin dhe ka disa zona në të cilat duhet punuar përpara se të zhvillohet këtu ndeshja e parë e femrave në nëntor, – ka deklaruar Shined Gordon, duke folur ekskluzivisht për AlbanianSport.com. Zyrtarja e FIBA-s ka vendosur edhe afatet përsa i përket kushteve për ndeshjet ndërkombëtare.
“Mendoj se kohë ka, pasi jemi në fund të gushtit dhe ndeshja e parë në fushën tuaj për përfaqësuesen e femrave luhet në fund të nëntorit”, – ka kujtuar Gordon. – Nëse Federata merr mbështetjen e nevojshme, nëse merr financimin e nevojshëm, unë do të thoja, “pse jo?”.” Delegacioni i FIBA Evropës ka vizituar edhe Pallatin e Sportit “Ramazan Njala” të Durrësit dhe atë “Tomorr Sinani” në Elbasan.
– Kjo është vizita juaj e parë dhe e shpejtë në Shqipëri. A mund të themi se e kemi kaluar provimin përsa i përket infrastrukturës për të pritur fillimisht Eliminatoret e femrave dhe më pas ato të meshkujve?
– Unë nuk jam në gjendje t’ju jap një përgjigje sot për këtë. Sigurisht që duhet të marr me vete të gjithë dokumentacionin dhe fotot dhe gjithçka mbi Pallatin e Sportit që vizitova. Më duhet të them se ky Pallat Sporti ka nevojë për një rinovim, pasi nga ky inspektim i parë i yni ka disa kushte që nuk do të pranoheshin dhe ka disa zona në të cilat duhet punuar përpara se të zhvillohet këtu ndeshja e parë e femrave në nëntor. Për shembull, kur hyn brenda, ajo që duhet përmirësuar është ndriçimi, që nuk është në nivelin e duhur për të pritur ndeshjet e nivelit të të rriturve dhe të të rriturave. Po kështu, ka mungesa në dhomat e zhveshjeve, përsa u përket kushteve të dusheve, WC-ve dhe mjediseve higjenike, që e bëjnë këtë mjedis ta papërshtatshëm për ndeshjet e këtij niveli. Kam përshtypjen se ka probleme me specifikën teknike të pajisjeve, e të tjera. Natyrisht që ne do të përpiqemi të jemi sa më fleksibël të mundemi, sepse duam që ekipet përfaqësuese t’i luajnë ndeshjet e tyre në fushën e tyre, por ne do të na duhet garancia e Federatave, dhe bashkë me to, edhe e qeverive përkatëse, që ato mund ta përballojnë këtë nivel. Veçanërisht kur vjen një Pallat Sporti si ky, i cili është pak i vjetër. Dikush më tha që ky Pallat Sporti është thuajse gjysmëshekullor dhe nuk ka ecur hapin me hapin e kohës dhe prandaj ka nevojë të rinovohet, që të vijë të paktën në nivelin e mjediseve të tjera në Evropë, ku do të mbahen ndeshjet e nivelit të të rriturve.
– A kemi ne kohë për një gjë të tillë?
– Unë mendoj se kjo pyetje që ju më bëni mua në fakt është një pyetje për ju shqiptarët vetë. Unë nuk e di sesa shpejt punojnë njerëzit këtu në Shqipëri. Mendoj se kohë ka, pasi jemi në fund të gushtit dhe ndeshja e parë në fushën tuaj për përfaqësuesen e femrave luhet në fund të nëntorit, kështu që unë shoh një “dritare” 3-mujore, ku, nëse Federata merr mbështetjen e nevojshme, nëse merr financimin e nevojshëm, unë do të thoja, “pse jo?”. Ne po flasim vetëm për një ndeshjen në shtëpi për përfaqësuesen tuaj të femrave, në nëntor, pastaj për një ndeshjet tjetër në shkurt, kështu që ne mund të pranojmë një zgjidhje me dy faza. Pra, të shohim se çfarë mund të bëhet në një periudhë 3-mujore dhe çfarë mund të bëhet në një periudhë 6 mujore. Nuk është vendimmarrja ime për atë që mund të bëhet, sepse unë nuk e di se çfarë mund të bëhet përsa u përket propozimeve të tyre dhe rënies dakord mbi atë që mund të investohet apo çfarë mund financohet dhe sa shpejt mund të ndodhë e gjitha kjo. Por, për këtë “dritare” 3-mujore, gjërat duhen bërë shpejt, të paktën për një Pallat Sporti si ky që pashë këtu në Tiranë, ka punime që duhen bërë menjëherë, në mënyrë që ne ta pranojmë si të përshtatshëm për ndeshje ndërkombëtare.