AlbanianSport.com 25/04/2020 22:25
ASNN – Ishte një nga kampionatet që u dorëzua i fundit përballë shpërthimit të epidemisë së koronavirusit dhe tanimë po planifikon rikthimin në fushën e blertë. Superliga e Turqisë në futboll pritet të vazhdojë në mes të qershorit, ndërsa ndeshjet do të luhen pa praninë e shikuesve. Kështu kanë raportuar mediat shtetërore të Turqisë, duke cituar kreun e shoqatës së klubeve.
Kampionatet e Turqisë në futboll, basketboll dhe volejboll janë pezulluar duke nisur nga 17 marsi 2020. Në fakt, Turqia ishte prej vendeve të fundit të kontinentit të vjetër që ka ndërprerë veprimtaritë sportive. Vendimi u mor vetëm pasi presioni nga jashtë dhe nga brenda u bë shumë i madh. Deri më tani, Turqia ka konfirmuar më shumë se 100 mijë të prekur nga “Covid-19” dhe mbi 2,600 të vdekur.
“Ne kemi një vendim paraprak për të vazhduar Superligën nga data 12, deri më 14 qershor, – ka deklaruar kryetari i shoqatës së klubeve, Mehmet Sepil, duke folur për lajmet e Radio-Televizionit Turk, “TRT Haber”. – Skenari bazë është që Superliga dhe Kupa e Turqisë të përfundojnë deri më 26 korrik 2020.” Turqia u bashkohet kështu disa kampionateve të tjera të Evropës që po konkretizojnë rikthimin.