Gjergj Vyshka 14.12.2015 13:20
Skuadra e Klarent Dedajt jo vetëm që ka bërë ndeshjen më të mirë të sezonit, por duke e sfiduar ekipin korçar në lojë direkte ka arritur ta zhvendosë në fundin e renditjes së Kategorisë së Parë. Një ndeshje për t’u marrë shembull nga të gjithë për nga qetësia e korrektësia. Edhe Eagles, skuadra e shoqata “Tirana Eagles Basket”, ka treguar se di të fitojë në Kategorinë e Parë, ndërsa dje ka mundur rivalin direkt për t’u shmangur nga fundit i tabelës, Skënderbeun. Në fazën e parë kanë qenë korçarët ata që kanë fituar në fushën e tyre me diferencë të ngushtë prej 6 pikësh.
Kurse dje ka qenë një tjetër histori, sepse Tirana Eagles ka qenë e motivuar për të marrë suksesin e parë si skuadër profesioniste. Madje ndryshe nga sa ishte lajmëruar më parë, drejtuesit e shoqatës Tirana Eagles Basket e kanë lënë hyrjen e lirë të njerëzve në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”. Sepse, të paktën edhe sipas trajnerit Klarent Dedaj, kanë kërkuar sa më shumë mbështetës pasi vetëm në këtë mënyrë skuadra mund të shkonte tek fitorja. Dhe në fund janë shpërblyer. Skënderbeu ka arritur të fitojë vetëm pjesën e parë ngushtësisht, 10-9.
Por, duhet thënë që niveli i lojës ka lënë për të dëshiruar në të dy ekipet në këtë dhjetë minutësh të parë. Pasi basketbollistët kanë qenë të pasaktë në gjuajtje, aq sa për disa minuta rezultati është fiksuar në 4-2 për vendësit. Në pjesën e dytë ka një lirshmëri tek vendësit, të cilët me anë të Tufës, Adilit, Kalës, Prodanit, Dashit, më vonë edhe Lipos, Zelajt, Skëndajt e Nallbanit kanë fituar 16-14 duke shkuar në dhomat e zhveshjes me epërsinë minimale 25-24.
Epërsi që ka ardhur duke u rritur në 16 pikë në përfundim të pjesës së tretë, teksa Tirana Eagles, edhe duke e fituar atë bindshëm, 23-8, ka thelluar në 48-32. E fundit është e barabartë 18-18, por që Tirana Eagles ka administruar epërsinë dhe në mbyllje ka fiksuar rezultatin 66-50. Fitorja e parë për Tirana Eagles që do të mund ta bëjë këtë skuadër në vazhdim të sezonit më konkurruese, jo vetëm në moral, por dhe në cilësi loje.
Për Skënderbeun, përtej keqardhjes për nivelin jo të mirë të basketbollit të meshkujve, që deri diku ka qenë traditë, duhet thënë se është kthyer në ditë të hallit. Një kundërshtar të cilin çdo ekip e shkel me këmbë lehtësisht. Dhe kjo nuk është normale për atë që duhet përçojë basketbolli korçar në parket tek djemtë…
Tirana Eagles – Skënderbeu 66-50
(9-10, 16-14, 23-8, 18-18)
Tirana Eagles: Adili (16), Kala (13), Prodani (7), Tufa (13), Dashi (4) / Lipo (1), Zelaj (2), Skëndaj (8), Nallbani (2). Trajner: K. Dedaj
Skënderbeu: Duci (8), Topi (20), Thanas (8), Habip (11), Simaku / Nika (2), Terolli, Bala, Qazimllari (1), J. Kristo. Trajner: I. Nika
Gjyqtarë: A. Dulçe, Y. Harasani (Tiranë)
Kampionati Kombëtar
i Basketbollit – Meshkuj
Kategoria e Parë
Java e 10-të
(12-13 dhjetor 2015)
Të shtunën:
Elbasani – Ardhmëria Basket 86-62
Të dielën:
Tirana Eagles – Skënderbeu 66-50
Superior Klima pushim
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Psh-Pp Pikë
- Ardhmëria Basket 8 7 1 560-375 15
- Elbasani 8 6 2 632-484 14
- Superior Klima 8 5 3 558-430 13
- Skënderbeu 8 1 7 405-535 9
- Tirana Eagles 8 1 7 373-577 9