AlbanianSport.com 10/04/2020 21:40
ASNN – Pas Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), edhe Federata simotër e Kosovës (FFK) ka prezantuar të premten paketën e ndihmës emergjente, përmes të cilës do të përkrahen njerëzit e futbollit gjatë epidemisë së koronavirusit. Sipas një komunikate, FFK-ja e ka hartuar këtë paketë nga buxheti i saj dhe ka vendosur ta bëjë këtë pa pritur ndihmën e premtuar nga Qeveria e Kosovës. Siç dihet Qeveria në detyrë e Kosovës ka ndarë një fond prej 5 milionë Eurosh për sportin në këtë krizë të koronavirusi. Procedurat zgjasin dhe Federata e Futbollit të Kosovës nuk ka humbur kohë për të ndihmuar aktorët e futbollit.
Por ndryshe nga FSHF-ja, FFK-ja ka zbuluar në planin e ndihmës ekonomike se do të përfshijë klubet e të gjithë kategorive, futbollin e femrave, atë të futbollit të sallës, si dhe gjyqtarët e delegatët e ndeshjeve. Jo vetëm kaq pasi FFK do të ndihmojë edhe shkollat e futbollit, teksa kërkon që klubet të përgatisin listën e përfituesve. Pra, ndryshe nga Federata këtej kufirit, që i ndau klubet në klube Bashkish dhe klube jo-Bashkish, Federata e Kosovës ka sqaruar se do të përkrahen klubet e Superligës dhe të kategorive të tjera e po ashtu gjyqtarët e delegatët. Klubet duhet të dërgojnë në FFK listat e atyre që përfitojnë nga pakoja.
Kështu, Në klubet e Superligës do të përfitojnë mbështetje 35 persona, që do të marrin nga 350 euro secili. “Ky projekt ndihme është bërë nga fondet e veta të FFK-së dhe do të mbështetet edhe nga një kredi tek banka jonë partnere, thuhet në njoftimin e FFK-së. – Projekti është bërë në atë mënyrë që si destinacion ta ketë përfituesin e fundit, pra pagesa do të bëhet për secilin person në llogarinë e tij personale. FFK-ja do të jetë gjithmonë pranë komunitetit të futbollit me mundësitë e saj, sidomos në këto momente të vështira si pasojë e koronavirusit.”
“Por duhet kuptuar të gjithë se kjo është vetëm një ndihmë emergjente e cila do t’ua lehtësojë sadopak të gjithë të përfshirëve në futboll këtë periudhë të pazakontë në të cilën po kalojmë si vend dhe si shoqëri”, – vijon njoftimi i FFK-së, ndërsa përfituesit nga kjo paketë janë rreshtuar më poshtë:
- Në klubet e Superligës do të ndihmohen nga 35 persona me shumën prej 350 euro për person.
- Klubet e Ligës së Parë do të ndihmohen nga 30 persona me shumën prej 200 euro për person.
- Klubet e Ligës së Dytë do të ndihmohen nga 25 persona me shumën prej 150 euro për person.
- Klubet e Ligës së Tretë do të ndihmohen nga 20 persona me shumën prej 100 euro për person.
- Liga e Femrave, të rriturat, do të ndihmohen nga 25 persona me shumën prej 200 euro për person.
- Liga e Femrave, Liga e Nën-16-vjeçarëve, do të ndihmohen nga 20 persona me shumën prej 100 euro për person.
- Klubet e Futbollit të Sallës do të ndihmohen nga 15 persona me shumën prej 100 euro për person.
- Gjyqtarët e ndeshjeve, gjithsej 193 persona do të ndihmohen me nga 200 euro.
- Gjyqtarët e kategorisë së re, gjithsej 180 persona do të ndihmohen me nga 50 euro.
- Delegatët e ndeshjeve dhe kontrollorët e gjykimit do të ndihmohen me nga 100 euro.
- FFK-ja do të ndihmojë edhe shkollat e futbollit, por pasi Lidhjet Rajonale t’i përgatisin dokumentet e nevojshme.