AlbanianSport.com 27/10/2021 21:15
ASNN – Pekini shënon edhe 100 ditë deri në nisjen e Lojërave Olimpike Dimërore. Por përgatitjet për Olimpiadën janë lënë në hije nga thirrjet për bojkot dhe frika e një shpërthimi të ri të virusit koronanë Kinë. Kryeqyteti kinez në shkurt do të presë Lojërat Olimpike Dimërore, duke u bërë kështu vendi i parë që organizon të dy Olimpiadat si atë Dimërore dhe atë Verore. Javën e kaluar u organizua edhe ceremonia e ndezjes së flakës olimpike.
Nuk kishte asnjë shenjë mosmarrëveshjeje në Kinën e kontrolluar rreptësisht, por ceremonia e ndezjes së flakës në Greqi u ndërpre nga një numër i vogël aktivistësh që valëvisnin një flamur tibetian dhe një pankartë që shkruant “Jo genocid!”. Organizatorët nuk kanë dhënë detaje se si ata i kanë planifikuar 100 ditët, me autoritetet kineze që nxitojnë të eliminojnë një shpërthim virusi në ndjekjen e një politike të rasteve zero.
Kina, ku virusi “Covid-19” u shfaq në fund të vitit 2019, i ka luftuar infeksionet me testime masive, bllokime agresive dhe duke mbyllur kryesisht kufijtë e saj. Lojërat e vitit 2022, të cilat zhvillohen vetëm gjashtë muaj pas Lojërave Olimpike Verore të Tokios të vonuara nga pandemia, do të mbahen në një ambjent rreptësisht të mbyllur për të penguar infeksionet. 2900 atletët që kanë konfirmuar pjesëmarjen duhet të vaksinohen plotësisht ose të përballen me karantinë 21-ditore pas mbërritjes në kryeqytetin kinez.
Ndryshe nga Lojërat e Tokios, do të ketë spektatorë, por shitja e biletave është e kufizuar për njerëzit që jetojnë në Kinë. Lojërat, që do të zhvillohen nga 4 deri në 20 shkurt, do të përdorin disa nga mjediset e ndërtuara për Olimpiadën e vitit 2008, duke përfshirë stadiumin kombëtar “Foleja e Zogjve” për ceremonitë e hapjes dhe mbylljes. Me këtë rast presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), Tomas Bah, i vlerëson organizatorët dhe thotë se evenimenti do të tregojë një të vërtetë historike.
Shefi i IOC-së zbulon se të gjitha mjediset sportive kanë përfunduar prej disa kohësh, duke shtuar se atletët janë të kënaqur që do të mund të garojnë aty. “Përgatitjet për Pekin 2022 po shkojnë shumë mirë, – ka thënë ai. – Të gjitha objektet sportive kanë përfunduar tashmë prej disa kohësh. Garat testuese janë duke u zhvilluar me pjesëmarrje ndërkombëtare, dhe atletët janë të emocionuar për situatën dhe impiantet moderne ku do të garojnë.”
“Skena është vendosur në mënyrë të tillë që Pekini të tregojë se po shkruan historinë olimpike si qyteti i parë që organizon si edicionin veror ashtu edhe atë dimëror të Lojërave Olimpike, – ka vijuar Tomas Bahu. – Kina nuk dëshiron vetëm të përmbajë virusin, por dëshiron ta zhdukë atë dhe kjo po bëhet me efikasitet të madh, me masa shumë të rrepta. Këto masa sigurisht që do të jenë edhe në Lojërat Olimpike Dimërore, në mënyrë që të gjithë pjesëmarrësit të jenë të sigurt.”