Adriatik Balla 27.05.2015 13:25
Edhe pse finalja luhet në një fushë asnjanëse, për të përcaktuar sipas rregullores formatin e ndeshjes së fundit finale midis Kukësit dhe Laçit në Kupën e Shqipërisë, u kujdes Federata Shqiptare e Futbollit, duke vendosur, edhe sipas pëlqimit të palëve që takimi të luhet në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” ditën e premte.
Nderi për t’u luajtur skuadër pritëse në këtë finale i takoi Kukësit, i cili më parë kishte pasur përplasje me Laçin për numrin e biletave në stadium. Por këto dhe dilema të tjera do të zgjidhen nga federata në momentin e duhur, për të evituar çfarëdolloj problemi me klubet dhe tifozerinë e tyre.
Federata i trembet përplasjeve të tifozëve në shkallët e stadiumit dhe jashtë tij, por edhe një tensioni në rritje me afrimin e ndeshjes. Të dy palët janë të etura për trofeun, sidomos Kukësi që nuk e ka fituar asnjëherë, ndërsa Laçi do fitoren për trofeun dhe për të marrë pjesë në turet eliminatore të Ligës së Evropës.
Megjithatë, orët në vijim do të jenë vendimtare për këtë problem dhe me siguri që FSHF do të përpiqet të negociojë, sidomos me Kukësin, që të pranojë që ndeshja të luhet me gjyqtarë vendas.