AlbanianSport.com 18/09/2019 23:00
ASNN – Nis faza e grupeve, PSG-ja shtang Realin e Madridit, Atletiko i mohon fitoren Juventusit. Ashtu siç kishte ndodhur të martën, edhe të mërkurën, Liga e Kampioneve të Evropës në futboll nuk ka munguar të dhurojë të papritura dhe ajo që spikati ishte padyshim fitorja 3-0 që Paris SG-ja arriti në fushën e vet përballë Realit të Madridit.
Dy gola të Anhel de Marias në pjesën e parë dhe një i Munierit në të dytën u dhanë 3 pikët parisienëve në kurriz të madrilenëve, ndërsa dueli tjetër i grupit A, ai midis Bryzhit dhe Gallatasarajit, u mbyll me rrjeta të paprekura. Në grupin B, Bajerni i Mynihut nuk gaboi në fushën e vet, duke fituar 3-0 ndaj Cërvena Zvezdës.
Ndërsa Totenhemi u detyrua të kënaqej me një barazim 2-2 në Greqi përballë Olimpiakosit. Dinamo e Zagrebit ka shtangur Atalantën në Kroaci, duke e mundur thellë, 4-0, ndërsa një fitore komode, 3-0, mori në takimin tjetër të grupit edhe Mançester Siti në Ukrainë përballë Shahtjorit të Donjeckut.
E papritura tjetër e mbrëmjes erdhi në grupin D, atje ku Atletiko e Madridit kapërceu pësimin e dy golave në shtëpi, duke arritur të barazojë në fund e t’i mohojë Juventusit fitoren. Kurse fitoren në këtë grup e korri Lokomotiva e Moskës, e cila mundi 2-1 Bajer Leverkusenin në Gjermani.