AlbanianSport.com 19.04.2015 09:35
ASNN – Sezoni i Kampionatit Kombëtar të Volejbollit për Femra ka ulur siparin mbrëmë dhe Barleti Volej kurorëzohet kampione e Shqipërisë për të dytin vit radhazi në historinë e klubit. Në epërsi të dy takimeve finaleve të fituar në këtë “play-off” ndaj Tiranës, Barleti Volej bën “tris”, njëherësh ngre trofeun më të rëndësishëm të vitit. E vënë shumë pak në rrezik nga bardheblutë, Barleti Volej nuk u la asnjë shans rivaleve. Seti i parë nis me një epërsi të dukshme të Tiranës të trajnerit Ardian Gorenca, që katapultohet 6-0 me protagoniste Matoshin.
Me të drejtë trajneri Hasan Gurabardhi kërkon pushim për të “shkundur” lojtaret. Kjo vlejti dhe Tuci e Braho i japin frymëmarrje grupit, por sërish në disfavor me shifra 3-6, 7-9. Bici finalizon nga shërbimi dhe Barleti Volej afrohet me 1 pikë, 8-9. Por, Tirana e rimerr komandën e lojës dhe thellon 15-9. Përsëri pushim për kampionet në fuqi që, për momentin, janë jashtë lojës së tyre. Në pikën e 18-të vendoset ekuilibri i parë dhe aty nis përmbysja me kapitenen Braho. Ndeshja është e hapur 22-20 me bllokun dysh të Prengës e Thakës ndaj Bicit.
Tuci në superformë, jo më pak Nezaj i japin zemër Barletit që e mbyll setin e parë 25-21. Në të dytin Tirana shpërfytyrohet, ndërsa Barleti përfiton 7-3, 12-3. Bardheblutë shpërdorojnë shërbimet, si dhe humbin qetësinë në topin e parë. Vajzat e Gurabardhit nuk kursehen e thellojnë diferencën 17-5, 19-5, duke krijuar përshtypjen e një seance stërvitore dhe jo finale. Ka luksin e “show”-t edhe Harxhi, e cila me një veprim pikant të sajin në ngecjen e topit i çon shifrat 21-8. Pira shënon për Tiranën, por vetëm për statistikë personale, pasi fatet e setit ishin vendosur me kohë.
Barleti Volej fiton edhe setin e dytë, kësaj here edhe më e pamëshirshme 25-14. Në setin e tretë, Tirana përpiqet për të rihapur ndeshjen me Matoshin, Agollin Thakën, por sfidantja e saj është gjithmonë në avantazh 12-9, 18-13, 19-17. Kjo tolerancë në lojë e volejbollisteve të Barletit irriton Gurabardhin, që sinjalizon pushim. Kampionet nuk kanë kohë për eksperimente dhe me Nezajn nga shërbimi e fantastiken Brahon ndihet edhe më shumë aroma e titullit. Barleti Volej udhëheq 22-18, 24-21 dhe Tuci mbyll takimin e krejt sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme.
Ekzaltim legjitim i Gurabardhit, skuadrës kampione e tifozërisë së shumtë në numër. Një tjetër sezon spektakolar i Barletit Volej, që edhe për vitin e ardhshëm do të jetë ajo skuadra që duhet mposhtur.
Barleti Volej – Tirana 3-0 (3-0)
(25-21, 25-14, 25-21)
Barleti Volej: Braho, Nezaj, Bici, Tuci, A. Gjermeni, Harxhi, J. Gjermeni, Dervishi, Gasku, Picaku, Fagu (l), Uka (l). Trajner: H. Gurabardhi
Tirana: Prenga, Meta (l), Blloku, Matoshi, Thaka, Pira, Matraku, Hoxha, Agolli, Shira, Shehi (l), Lasku. Trajner: A. Gorenxa
Gjyqtarë: E. Zguri, R. Kuka
Anësore: G. Zuna, T. Kacadej