AlbanianSport.com 26.11.2014 10:40
ASNN – Liga e Kampioneve ka luajtur dje ndeshjet e 5-ta në grupet E, F, G dhe H, duke përcaktuar edhe të tjera skuadra që shkojnë më tej në turin e 16-shes. Sonte luhen takimet e 5-ta në 4 grupet e tjera, ku spikat përballja e Londrës midis Arsenalit dhe Borusias së Dortmundit. Veprimtaria më prestigjioze e klubeve të kontinentit, Liga e Kampioneve, vazhdon fazën e saj të grupeve dhe të martën në mbrëmje janë njohur të tjera skuadra që do ta vazhdojnë më tej aventurën e tyre.
Në grupin E, ku Bajerni i kualifikuar është mundur 2-3 në Angli nga Mançester Siti, gjithçka është e hapur përsa i përket kualifikimit, pasi takimi tjetër, ai midis CSKA-së së Moskës dhe Romës, u mbyll në barazim 1-1. Në grupin F, Paris SG-ja dhe Barcelona, kanë vijuar duelin në distancë për vendin e parë të renditjes, por ajo që spikati është se Lionel Mesi shkruajti emrin e tij në histori si shënuesi më i mirë i Ligës së Kampioneve, me 74 gola të realizuar.
Në grupin G, Çellsi e ka siguruar turin e 16-shes me fitoren 5-0 ndaj Shalke 04-s në Gjermani, ndërsa gjithçka është e hapur përsa i përket vendit të dytë, pasi Sportingu i Lisbonës mundi 3-1 Mariborin. Edhe në grupin H, nuk ka patur surpriza, pasi Porto dhe Shahtjori i Donjeckut janë kualifikuar për më tej, përtej rezultateve të ndeshjeve të mbrëmshme.
Sonte luhen ndeshjet e 5-ta në 4 grupet e tjera dhe gjithçka është e hapur në grupin A, ku luhen sonte përballjet Atletiko e Madridit-Olimpiakos dhe Malmoe-Juventus, ndërsa në grupin B, ku Reali i Madridit është i kualifikuar dhe sonte ndeshet në Zvicër me Bazelin dhe lufta është e hapur për vendin e dytë. Edhe në grupin C, ku zhvillohen përballjet Zenit-Benfika dhe Bajer Leverkusen-Monako, gjithçka është e hapur përsa i përket kualifikimit, ndërsa në grupin D, ku Borusia e Dortmundit është e kualifikuar, luhet për biletën tjetër që të çon në turin e 16-shes.