Nga Gjergj Vyshka 23.09.2014 14:20
Në fundjavë nis dhe Kampionati i Kategorisë së Parë për grupmoshat Nën-17 dhe Nën-19-vjeç. Kampionat me kushte: 50 % të detyrimeve dhe aktin e sigurisë së stadiumit nga policia. “E hapi…!”. Kjo është shprehja më kuptimplote dje për Federatën Shqiptare të Futbollit, e cila, pas shtyrjeve të njëpasnjëshme të Kategorisë së Parë dhe të Dytë të të Kampionatit Kombëtar të Futbollit (dy herë aktiviteti i parë dhe një herë tjetri), ka vendosur të luhet. Ajo që ka qenë e vërtetë ishte fakti se klubeve të Kategorisë së Parë, që nuk janë pak, por 20, u kishte nisur t’i humbte durimi.
Dhe nuk kanë faj, sepse kanë që më 14 korrik që kanë nisur përgatitjet, të cilat kanë një limit kur dihet data e startit të kampionatit dhe nuk mund të zgjatet pafundësisht. Sepse në të kundërt, përgatitja e marrë kthehet në “bumerang” dhe për rrjedhojë, Insha’Allah nuk ndodh, cilësisht kampionati i Kategorisë së Parë dhe të Dytë do të lërë shumë për të dëshiruar. E rëndësishme është që filloi, por teksa këtë të shtunën duhet të ishte luajtur java e tretë e Kategorisë së Parë, atëherë do të thotë që do të ketë ngarkesë për të fituar kohën e humbur dhe më pas dhe për të shmangur dimrit e ftohtë e terrenet e përbaltura.
Shirat e vjeshtës tashmë kanë nisur, kurse duke luajtur të mërkurën e të shtunën do të shihet më së miri se sa janë fizikisht të përgatitur skuadrat. Gjithsesi, kur dhe dje në fillimin e javës trajnerët kanë bërë pyetjen e tyre për të disatën herë se kur do të nisi kampionati, sepse duhet të planifikonin çfarë duhet të bënin, e rëndësishme është se Komiteti Ekzekutiv ka vendosur të fillojë jo vetëm kampionati i Kategorisë së Parë dhe të Dytë, por dhe ai i Nën-17 dhe Nën-19-vjeçarëve. Por një fillimkampionati me kushte, të cilat nëse nuk plotësohen në afatet e kërkuara nga Federata Shqiptare të Futbollit, atëherë do të mund të kemi javë gjysmake që nuk është në interes të sportdashësve, që mezi presin të shohin skuadrat e tyre të zemrës në fushat e lojës.