Gjergj Vyshka 05.04.2016 11:55
Sahit Prizreni të dielën ka fituar normën e kualifikimit olimpik për “Rio 2016″. Është ky një sukses i madh për mundësin shqiptar që në ngjarjen më të madhe sportive do të paraqitet për herë të tretë. Ai ka garuar për Shqipërinë në Lojërat Olimpike “Athina 2004″, ku përfundoi i 17-ti. Katër vjet më vonë në Pekin u rendit i 16-ti. Madje në Lojërat Olimpike të vitit 2008 mbajti flamurin e Shqipërisë në ceremoninë hapëse.
Tani Prizreni 34-vjeçar do të garojë për herë të tretë në Lojërat Olimpike, në Rio de Zhaneiro të Brazilit, në muajin gusht. Por, në Rio, ai nuk do ta përfaqësojë Shqipërinë. Do të garojë për Australinë. Prizreni është mundësi i dytë shqiptar që fitoi normë për Lojërat Olimpike të këtij viti. Më herët, por për Bullgarinë, normën e ka siguruar edhe mundësi tjetër, Elis Guri.
Ndërkohë Shqipëria ende nuk ka normë kualifikimi në mundje dhe ka vetëm një normë në të gjitha sportet olimpike. “Jam i lumtur që do të jem në Lojërat Olimpike”, – ka deklaruar Prizreni për mediat australiane. “Shpresoj që pjesëmarrja e tretë do të jetë me fat për mua”, – ka theksuar mundësi i mirënjohur, duke konfirmuar se do të synojë medaljen e tretë.
“Dua të bëj më të mirën për Australinë dhe trajnerin tim, – ka vijuar ai. – Kushtet e mia nuk janë shumë të mira aktualisht, por shpresoj të bëj disa stërvitje dhe të kem ndeshje të tjera në Evropë këtë verë që të bëhem gati për Rio.” Ai për Shqipërinë ka fituar medalje të bronztë botërore.