AlbanianSport.com 16/01/2024 18:05
ANN – “Pasion, punë e palodhur e strategji me objektiva të qarta!” Presidenti Duka tregon “sekretin” e rritjes së Kombëtares dhe futbollit shqiptar. Armand Duka, tashmë Zv.Presidenti i UEFA-s dhe president i Federatës Shqiptare të Futbollit që nga viti 2002, është një nga lojtarët më të fuqishëm të futbollit evropian. Pas studimeve për ekonomi në Universitetin e Tiranës, ai punoi për disa vite si ekonomist. Në vitin 1993 ai themeloi kompaninë e tij private AIBA, që zotëron pularinë më të madhe në tregun shqiptar për prodhimin e vezës.
Në karrierën e tij të deritanishme 30-vjeçare, ai është një nga biznesmenët më të suksesshëm në Shqipëri dhe ai që ndryshoi rrjedhën e futbollit shqiptar. Në drejtimin e tij, Kombëtarja shqiptare ka arritur dy herë në fazën finale të Kampionatit Europian, në vitin 2016 dhe tani siguroi kualifikimin në Euro 2024. Diçka që me siguri do ta kishin zili shumë federata të tjera më të mëdha. Gjatë mandatit të tij presidencial, futbolli në Shqipëri ka përjetuar shumë suksese të rëndësishme, si ndryshime të mëdha në infrastrukturën e stadiumeve, ndërtimi i qendrave të reja stërvitore dhe selia e re e federatës.
Presidenti Duka foli ekskluzivisht për median sportive italiane “Sportpress24” për kualifikimin e kombëtares shqiptare, ecurinë e futbollit të vendit të tij, vendimin e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë dhe padyshim fazën finale të Kampionatit Evropian për moshën e Nën-17-vjeçarëve, që do të zhvillohet në Shqipëri në vitin 2025. AlbanianSport.com jua sjell këtë intervistë në 4 pjesë dhe kjo është pjesa e dytë, që përqendrohet tek grupi dhe pritshmëritë Kombëtares kuqezi për “Euro 2024”-ën.
– Në grupin tuaj, keni kundërshtarë të fortë si Spanja, Italia dhe Kroacia. Çfarë prisni të arrini ndaj këtyre rivalëve?
– Nuk vihet në dyshim që ky është një grup shumë i fortë, siç është etiketuar “Grupi i Ferrit”. Të treja skuadrat me të cilat do të ndeshemi, kanë vlera dhe nivele të padiskutueshme në futbollin evropian, të cilat meritojnë respekt maksimal. Italia është kampionia në fuqi e Evropës me një stil të veçantë futbolli, e cila gjithnjë llogaritet si favorite e kësaj veprimtarie. Kroacia është gjysmëfinaliste e Botërorit të fundit, me mjaft futbollistë të niveleve të larta. Spanja mbetet një ekip i traditës, e cila në këto dy dekadat e fundit, ka fituar shumë si kombëtare, por edhe ka qenë lart në nivele klubesh. Por edhe ne kemi bërë një sezon shumë të mirë kundër skuadrave jo të lehta si Polonia, Republika Çeke, Moldavia e Ishujve Faroe. Jemi një skuadër e mirë, jo me shumë yje, por shumë të bashkuar e me shumë dëshirë. Fitoret me skuadra të një niveli të lartë si Polonia apo Republika Çeke, e rritën shumë skuadrën dhe kanë krijuar një besim të madh tek ne. Arritja e vendit të parë në grup, të cilin nuk e diskutuam për asnjë çast dhe në mënyrë të veçantë mënyra e lojës që zhvilloi skuadra, tregon se jemi rritur shumë. Respektojmë këdo, por edhe nuk kemi frikë nga askush. Do të përpiqemi të japim maksimumin dhe do të tentojmë kualifikimin.
– Cila është rëndësia e pjesëmarrjes së Shqipërisë në një turne kaq madhor të mirë si “Euro 2024” dhe rëndësia që ka për futbollin shqiptar?
– Pjesëmarrja në veprimtari të mëdha si finalet e Kampionatit Evropian apo Botëror, sigurisht që janë ngjarje të mëdha për ekipet kombëtare të vendeve të mëdha, e jo më, për një vend të vogël si Shqipëria. Në finalet e Europianit “Francë 2016”, ne morëm pjesë për herë të parë në një ngjarje kaq të madhe futbollistike. Ishte vërtet shumë emocionuese dhe u përjetua si e tillë, jo vetëm nga ne, ekipi dhe stafi. Por nga të gjithë shqiptarët, anë e mbanë botës. Mund të them që, nga periudha e eliminatoreve të atij Europiani dhe në vijim, ekipi kombëtar dhe arritjet e futbollit në vend, janë përjetuar si ngjarjet më të rëndësishme dhe janë kthyer në festa për të gjithë kombin shqiptar. Mund të them se futbolli gjatë këtyre viteve ka rritur krenarinë kombëtare të shqiptarëve dhe me të drejtë.