AlbanianSport.com 04.11.2014 13:20
ASNN – Shqipëria jo vetëm që do të apelojë vendimin e Komitetit të Disiplinës së UEFA-s për ndeshjen e 14 tetorit me Serbinë, por është gati ta çojë çështjen edhe më tej, në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë. Kjo garanci është dhënë nga presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i cili ka konfirmuar për “Sky Sports” se organizmi që ai drejton po pret ende dosjen me argumentet e UEFA-s për vendimin e Disiplinës, për ta dërguar çështjen në apel.
Federata Shqiptare e Futbollit ka përsëritur edhe një herë qëndrimin e saj se vendimi i marrë nga UEFA për ndeshjen e ndërprerë të 14 tetorit 2014 me Serbinë në Beograd, ka qenë “i padrejtë” dhe se ajo jo vetëm që do të apelojë vendimin e Komitetit të Disiplinës së UEFA-s, por është gati ta çojë çështjen edhe më tej, në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë. “Në momentin që po flasim, po presim dosjen nga UEFA, me argumentinin e vendimit të Disiplinës, që duhet të mbërrijë brenda 10-14 ditëve të ardhshme, dhe pastaj do të paraqesim zyrtarisht çështjen tonë në Apel”, – ka deklaruar presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, duke folur për rrjetin e mirënjohur sportiv ndërkombëtar, “Sky Sports”.
“Nga këndvështrimi ynë, nga ato që kemi parë dhe që kanë ndodhur atje në stadium, ky nuk është vendimi që duhej marrë dhe prandaj është i padrejtë dhe ne jemi të zhgënjyer”, – ka theksuar ai, duke vijuar: “Është pretenduar se ne kemi refuzuar ta vazhdojmë ndeshjen dhe kjo nuk është e vërtetë. Neve nuk na është kërkuar një gjë e tillë dhe, për më tepër, lojtarët tanë nuk ishin që gjendjen fizike dhe mendore për ta vazhduar ndeshjen. UEFA nuk e mori në konsideratë racizimin e vazhdueshëm në stadium, para, gjatë dhe pas ndeshjes, ku tifozët thërrisnin “Vritini, vritini shqiptarët, derisa të mos mbetet asnjë”.”
“Në një takim para ndeshjes na u tha se do të ishin 4,000 policë në stadium dhe 947 punonjës sigurie. Por, me të tilla masa, ajo që ndodhi nuk do të kishte qenë e mundur. Ishte një dështim total për të organizuar një ndeshje të sigurt futbolli”, – ka shtuar Duka, duke theksuar se përtej asaj që u pa, ishte pjesa që nuk u pa, dhuna në tunel dhe në dhomat e zhveshjeve, intimidimi nga policia. Me pak fjalë, ka përfunduar presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, UEFA iu përkul dhunës së huliganit Ivan Bogdanov.