AlbanianSport.com 31/01/2024 19:00
ASNN – Analiza e Presidentit Duka / Nga përgatitjet e Euro 2024, miqësoret, e ardhmja e Silvinjos dhe skema e re kampionatit. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka dhënë një intervistë në “Euronews Albania”, ku foli për disa tema të ndryshme, kryesisht në lidhje me përgatitjet e ekipit Kombëtar përpara Evropianit “Gjermani 2024”. Kreu i organizmit që qeveris futbollin shqiptar komentoi edhe ndeshjet miqësore që do të zhvillojë ekipi kombëtar përpara “Euro 2024”-ës, teksa bëri të ditur se së shpejti do të zbulohet edhe kundërshtari i dytë i Shqipërisë në muajin mars.
Gjithashtu, Presidenti Duka ka folur edhe për biletat e Evropianit, për të ardhmen e trajnerit Silvinjo dhe për marrëdhëniet e mira që ai ka me Presidentin e FFK-së, Agim Ademi. Përsa i përket futbollit vendas, Presidenti Duka theksoi edhe njëherë besimin që ai ka te formula e re që po aplikohet këtë sezon në Kategorinë Superiore. Gjithashtu ai dha edhe një koment për mundësinë e rikonstruksionit të Stadiumit “Selman Stërmasi” në kryeqytet. AlbanianSport.com jua sjell këtë intervistë në disa pjesë dhe kjo është pjesa e parë.
– E keni pritur shumë mirë shortin në Evropian, kemi kundërshtarë Italinë, Kroacinë dhe Spanjën?
– Entuziazmi im ishte për faktin që jemi pjesë e një veprimtarie shumë të rëndësishme. Vërtetë ekipi na bëri të ndihemi krenar dhe entuziazmi lidhet me faktin që të gjitha ekipet në Evropian janë të nivelit të lartë. Por në fund të fundit shkohet në një veprimtari të rëndësishme për të matur forcat, për të sfiduar dhe për të takuar ekipe të mëdha. Zakonisht ekipet e mëdha i takon në gjysmëfinale në finale, ne kemi patur fatin që t’i kemi në grup dhe pse jo të mos tentojmë për të bërë mire, për t’i sfiduar dhe për të shkuar më tej. Të luash kundër kampionëve të Evropës dhe botës është kënaqësi, pikërisht për këtë dhe faktin që jemi në Evropian kam qenë entuziast.
– Si e pritën shortin e Shqipërisë kolegët e tu në federatat e tjera?
– Flasim për nivele të larta qoftë teknike apo organizative dhe që janë të ndërgjegjshëm dhe e dinë, i njohin shumë mirë kundërshtarët. Nuk i njohin vetëm nga emrat, në përgjithësi opinionet nisin nga emrat, Italia, Gjermani apo Franca. Ndërsa ekspertët njohin nivelin aktual të ekipeve dhe asnjë nga ata nuk ka shprehur dhe nuk arrin apo nuk mundet të shprehi një notë nënvlerësimi, sepse në fund të fundit në futboll armiku kryesor ky është. Nëse t’i nënvlerëson kundërshtarin, nëse t’i mbivlerëson veten dhe shkon në fushë duke menduar që je superior, pastaj fusha dhe rezultati të nxjerrë inferior. Kështu që për nivelin e lartë të ekspertizës apo përgatitjes sportive padyshim që na kanë parë si një kundërshtar real, si një kundërshtar që i mbylli Eliminatoret në vendin e parë në grup me një paraqitje fantastike dhe me dy golat më të bukura në këto eliminatore të Evropianit. Të gjitha këto bëjnë që të na shohin si një kundërshtarë jo të lehtë.
– Lojtarët që do të grumbullohen për në Evropian, do të ketë risi në listë?
– Në futboll gjithçka tregohet në fushën e lojës. Në skuadër është ai që është më mirë në momentin që luhet ndeshje dhe në ekipin Kombëtar akoma më shumë. Ekipi Kombëtar nuk njeh moshë, nuk njeh histori, por njeh kush është më i mirë në momentin kur është turneu. Kush është më në formë, kush është në gjendje të mirë fizike dhe shëndetësore, kush është i gatshëm ta ndihmojë më shumë ekipin. Në fakt, kjo nuk është një punë e imja është e trajnerit dhe e stafit, por nuk mund ta kemi të programuar që këto janë futbollistët që do të jenë në Evropian, sepse kemi më shumë se katër muaj kohë për të qenë atje. Stafi, trajneri kanë bërë një tur këto ditë, do të vazhdojnë ta bëjnë këtë gjë deri në qershor. Do të kenë edhe ndeshjet miqësore që ne do të luajmë në mars për të parë dhe për të pasur alternativa më shumë se 23, sepse duhet të jemi të përgatitur për çdo lloj të papriture që do të sjellë fillimi i Evropianit. Ka futbollistë që nuk kanë qenë në ndeshjet eliminatore, që po vlerësohen seriozisht që mund të jenë alternativa. Nuk kanë qenë pjesë e eliminatoreve për arsye dëmtim, siç nuk kanë qenë Broja dhe Kumbulla apo qoftë edhe Rei Manaj që nuk ka qenë për shkak të një formë jo të mirë apo dëmtimi dhe sot po bën shumë mirë në Turqi. Ka futbollistë të rinj gjithashtu që janë rritur dhe mund të rriten akoma më shumë deri në qershor. Stafi duket të ketë në kokën e tij, në planet e tij më shumë se sa 30, për të patur 23 më të mirët në Evropian.