AlbanianSport.com 31/01/2024 20:50
ASNN – Analiza e Presidentit Duka, nga përgatitjet e Euro 2024, miqësoret, e ardhmja e Silvinjos dhe skema e re kampionatit. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka dhënë një intervistë në “Euronews Albania”, ku foli për disa tema të ndryshme, kryesisht në lidhje me përgatitjet e ekipit Kombëtar përpara Evropianit “Gjermani 2024”. Kreu i organizmit që qeveris futbollin shqiptar komentoi edhe ndeshjet miqësore që do të zhvillojë ekipi kombëtar përpara “Euro 2024”-ës, teksa bëri të ditur se së shpejti do të zbulohet edhe kundërshtari i dytë i Shqipërisë në muajin mars.
Gjithashtu, Presidenti Duka ka folur edhe për biletat e Evropianit, për të ardhmen e trajnerit Silvinjo dhe për marrëdhëniet e mira që ai ka me Presidentin e FFK-së, Agim Ademi. Përsa i përket futbollit vendas, Presidenti Duka theksoi edhe njëherë besimin që ai ka te formula e re që po aplikohet këtë sezon në Kategorinë Superiore. Gjithashtu ai dha edhe një koment për mundësinë e rikonstruksionit të Stadiumit “Selman Stërmasi” në kryeqytet. AlbanianSport.com jua sjell këtë intervistë në disa pjesë dhe kjo është pjesa e dytë.
– Biletat e Evropianit, a do të ketë një mundësi tjetër, apo procesi ka përfunduar?
– Stadiumet në të cilat ne do të luajmë janë stadiume shumë të mëdha, i pari me kapacitet 67 mijë dhe dy të tjerët me kapacitete më shumë dhe besoj se do të plotësohen kërkesat e të gjithëve për të qenë të pranishëm në stadium. Procedurat e shpërndarjes së biletave kanë filluar që në dhjetor, nuk e di nëse janë shitur të gjitha kapacitetet, pasi menaxhimin e tyre e bën UEFA. Realisht edhe ne kemi marrë një pjesë të biletave, të cilat ua kemi shpërndarë grupimeve të tifozëve, si “Tifozat Kuqezi” dhe sponsorëve dhe anëtarëve të Federatës së Futbollit. Ky procesi i joni ka përfunduar që me 12 dhjetor. Nuk kam informacion nëse është shitur 100% e kapaciteteve apo do të ketë dhe një rishpërndarje të re. “Tifozët Kuqezi” në mënyrë të grupuar i kanë marrë biletat për të 3-ja ndeshjet dhe kanë rezervuar dhe të drejtën e biletave për ndeshjet pas grupit.
– E ardhmja e trajnerit Silvinjo? Mund të na zbuloni diçka më shumë?
– Unë uroj që Silvinjo, i gjithë ekipi dhe të gjithë ne të bëjmë mirë në Evropian. Padyshim ta shijojnë Evropianin, Silvinjo kryesisht bashkë me ekipin, sepse është suksesi i tyre, janë ata që na kanë bërë ne krenarë dhe që jemi pjesë e kësaj veprimtarie shumë të rëndësishme. Pastaj padyshim ose më përpara do të duhet të diskutojmë për vazhdimin e bashkëpunimit të FSHF-së me Silvinjon dhe stafin e tij. Si gjithë opinioni dhe ne jemi pozitiv për vazhdimin e bashkëpunimit dhe vetë stafi dhe trajneri po ashtu, por më besoni që realisht gjatë gjithë muajit janar nuk jemi takuar, sepse lëvizjet kanë qenë vërtetë të mëdha, qoftë tonat, të stafit kryesisht për organizimin dhe problemet e përgatitjeve në Evropian.
– E keni ndjekur intervistën e Kristjan Asllanit, dëshira e tij ishte për të fituar ndeshjen e parë të Evropianit ndaj Italisë?
– E kam dëgjuar, në fakt e gjithë intervista e Asllanit më pëlqeu shumë, por shprehja “ëndrra ime është për të mundur Italinë” më pëlqeu akoma më shumë. Ato që e duan futbollin e presin mirë dhe mbështesin akoma më shumë ato që janë luftëtarë të vërtetë në fushë dhe që gjithmonë mbrojnë fanellën me të cilën luajnë, e aq më shumë fanellën e ekipit kombëtar për të cilën luajnë, siç është rasti i Asllanit me Shqipërinë. Kështu që italianët nuk e presin keq dhe askush nuk mund ta presë keq, se përse një futbollist dëshiron të fitojë me ekipin e tij. Përkundrazi duhet ta presë shumë mirë, sepse është pozitive për futbollin.