AlbanianSport.com 16/01/2024 15:20
ASNN – “Pasion, punë e palodhur e strategji me objektiva të qarta!” Presidenti Duka tregon “sekretin” e rritjes së Kombëtares dhe futbollit shqiptar. Armand Duka, tashmë Zv.Presidenti i UEFA-s dhe president i Federatës Shqiptare të Futbollit që nga viti 2002, është një nga lojtarët më të fuqishëm të futbollit evropian. Pas studimeve për ekonomi në Universitetin e Tiranës, ai punoi për disa vite si ekonomist. Në vitin 1993 ai themeloi kompaninë e tij private AIBA, që zotëron pularinë më të madhe në tregun shqiptar për prodhimin e vezës.
Në karrierën e tij të deritanishme 30-vjeçare, ai është një nga biznesmenët më të suksesshëm në Shqipëri dhe ai që ndryshoi rrjedhën e futbollit shqiptar. Në drejtimin e tij, Kombëtarja shqiptare ka arritur dy herë në fazën finale të Kampionatit Europian, në vitin 2016 dhe tani siguroi kualifikimin në Euro 2024. Diçka që me siguri do ta kishin zili shumë federata të tjera më të mëdha. Gjatë mandatit të tij presidencial, futbolli në Shqipëri ka përjetuar shumë suksese të rëndësishme, si ndryshime të mëdha në infrastrukturën e stadiumeve, ndërtimi i qendrave të reja stërvitore dhe selia e re e federatës.
Presidenti Duka foli ekskluzivisht për median sportive italiane “Sportpress24” për kualifikimin e kombëtares shqiptare, ecurinë e futbollit të vendit të tij, vendimin e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë dhe padyshim fazën finale të Kampionatit Evropian për moshën e Nën-17-vjeçarëve, që do të zhvillohet në Shqipëri në vitin 2025. AlbanianSport.com jua sjell këtë intervistë në 4 pjesë dhe kjo është pjesa e parë, që përqendrohet tek përgatitjet e Kombëtares kuqezi për Evropianin e Gjermanisë.
– Si po shkojnë përgatitet e Kombëtares shqiptare dhe drejtuesve teknik për fazën finale të “Euro 2024”?
– Ne kemi nisur përgatitjet që pas ndeshjes kundër Republikës Çeke, pasi pothuajse e kishim siguruar kualifikimin. Në planin organizativ kemi gjithçka gati, kemi përzgjedhur kampin bazë ku do të akomodohet ekipi ynë gjatë finaleve të Kampionatit Evropian në Gjermani. Është një kompleks sportiv shumë i mirë në Kaizerau, shumë afër Dortmundit dhe Dyseldorfit, ku ne do të luajmë dy nga 3 ndeshjet e grupit tonë. Kompleksi ofron kushte shumë të mira, ka shumë eksperiencë në pritjen e ekipeve të futbollit, ka pritur me parë ekipet përfaqësuese të Gjermanisë, Brazilit, Spanjës, Bregut të Fildishtë apo klube si Bajerni i Mynihut, Reali i Madridit, Liverpuli, Porto, Borusia e Dortmundit, Shalke 04-ra, Valencia, Atletik Bilbao, Udineze, Legia e Varshavës, Borusia e Mënshengladbahut, Verder Bremeni, RB Lajpcigu, Eintrahti i Frankfurtit, Volfsburgu, Unioni i Berlinit, Fortuna e Dyseldorfit, Roda JC Kerkrade, Standardi i Liezhit, Los Anxheles Galaksi, Paderborni, Shtutgarti, Hamburgu, Bohumi, Arminia e Bielefeldit dhe Dinamo e Drezdenit. Gjithashtu kemi programuat 4 ndeshje miqësore, dy në muajin mars e dy në qershor para fillimit të turneut. Në planin psikologjik po përpiqemi të përgatitemi dhe kjo është më e vështira për ne pasi nuk kemi shumë eksperienca në turne të tillë, e shorti na ka vënë përballë me ekipe që kanë shumë më shumë eksperienca të tilla.
– Cilat janë pritshmëritë tuaja për Kombëtaren shqiptare në këtë turne madhor ndërkombëtar?
– Mezi pres që lojtarët, stafi e tifozët ta shijojnë pjesëmarrjen në Euro, të shijojnë suksesin e tyre. Futbollistët nuk duhet të kenë asnjë lloj ngarkese, ata e kanë bërë detyrën na kanë bërë krenarë me pjesëmarrjen në Euro 2024, atë që nuk e kishim provuar e shijuar kurrë në histori po e shijojmë për herë të dytë në harkun e 8 viteve. Ne nuk duhet të bëjmë asgjë më shumë se sa kemi bërë në ndeshjet kualifikuese, impenjim maksimal, frymë skuadre, besim në skuadër e jo në vlera individuale, do të vlerësojmë çdo sekondë e minutë, do bëjmë më të mirën e do të synojmë të kalojmë grupin, dhe nëse arrijmë do të jemi të kënaqur, nëse shkojmë akoma më larg do të lumturohemi. Por për një gjë jam shumë i sigurt, që tifozët tanë do ta “skuqin” Gjermaninë, do të na mbështesin pa kursim e kjo do të jetë një tjetër armë e fortë për skuadrën tonë kombëtare.