AlbanianSport.com 01/02/2024 14:55
ASNN – Analiza e Presidentit Duka, nga përgatitjet e Euro 2024, miqësoret, e ardhmja e Silvinjos dhe skema e re kampionatit. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka dhënë një intervistë në “Euronews Albania”, ku foli për disa tema të ndryshme, kryesisht në lidhje me përgatitjet e ekipit Kombëtar përpara Evropianit “Gjermani 2024”. Kreu i organizmit që qeveris futbollin shqiptar komentoi edhe ndeshjet miqësore që do të zhvillojë ekipi kombëtar përpara “Euro 2024”-ës, teksa bëri të ditur se së shpejti do të zbulohet edhe kundërshtari i dytë i Shqipërisë në muajin mars.
Gjithashtu, Presidenti Duka ka folur edhe për biletat e Evropianit, për të ardhmen e trajnerit Silvinjo dhe për marrëdhëniet e mira që ai ka me Presidentin e FFK-së, Agim Ademi. Përsa i përket futbollit vendas, Presidenti Duka theksoi edhe njëherë besimin që ai ka te formula e re që po aplikohet këtë sezon në Kategorinë Superiore. Gjithashtu ai dha edhe një koment për mundësinë e rikonstruksionit të Stadiumit “Selman Stërmasi” në kryeqytet. AlbanianSport.com jua sjell këtë intervistë në disa pjesë dhe kjo është pjesa e 4-t dhe e fundit.
– A ka një plan për rikonstruksionin e stadiumit “Selman Stërmasi” dhe a do ta mbështeste FSHF projektin?
– Stadiumi “Selman Stërmasi” është pronë e Bashkisë Tiranë dhe administrohet nga klubi i Tiranës me një kontratë përdorimi 20 ose më shumë vjet dhe që ka mbetur nga ajo kontratë 17 apo 18 vjet për t’u përdorur. Për të qenë i sinqertë edhe unë kam informacione mediatike ashtu siç keni edhe ju, nëpërmjet komunikimeve që bëjnë këto institucione, qoftë Bashkia Tiranë apo klubi i Tiranës që kanë në planet e tyre një rikonstruksion, një modernizim të stadiumit, por zyrtarisht nuk kam informacion. Ne nuk kemi qenë pjesë e këtij projekti dhe nuk na është ofruar për të qenë pjesë e këtij projekti. Padyshim që nëse do të kenë nevojë, do kenë kontributin tonë për ta bërë sa ma mirë stadiumin.
– Formula e re e Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar me një “4-she finale”, mendoni se do të sjellë më shumë tifozë?
– Nëse nuk do të mendoja që do të jetë i suksesshëm nuk do ta kisha mbështetur, por nëse rezulton ashtu siç mendoj unë apo jo duhet të presim deri sa të përfundojë. Të gjithë argumentet, se pse mendoj se është i mirë, i kam dhënë dhe mund t’i përsëris. Ka disa që çfarëdo që të bësh do ta komentojnë negativisht, edhe fakti që jemi në Evropian nga disa komentohet negativisht, këtyre ne nuk kemi çfarë t’i bëjmë. Por kampionati nuk dëmtohet nga “4-shja finale”. Të gjitha ekipet po luftojnë për të qenë atje, pra mes 4 ekipeve më të mira, pastaj atje përsëri do të kemi një emocion, për të 4 skuadrat dhe për të gjithë mbështetësit e tyre, për të gjithë opinionin, për të pritur se kush do të jetë kampion. “4-shja finale” është për të krijuar një emocion tjetër dhe për të pasur më shumë interes nga spektatorët dhe të gjithë mbështetësit e futbollit në përgjithësi. Për ta përmbledhur, unë mendoj që është e mirë, për ta vërtetuar duhet të presim, nuk mund të presim vetëm një edicion, por mund të bëhet një ndryshim pozitiv dhe duhet të presësh më shumë se sa një edicion për ta parë nëse vërtetë është një ndryshim pozitiv dhe do të kontribuojë akoma më mirë për zhvillimin e futbollit shqiptar.