AlbanianSport.com 31.10.2016 07:55
ASNN – Sikundër ka ndodhur në këto dy muaj të para të sezonit sportiv, Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar ka sjellë për sportdashësit edhe një tjetër fundjavë të mbushur me transmetime të drejtpërdrejta të ndeshjeve të Kampionatit Kombëtar të Futbollit.
Kështu, të shtunën, transmetuesi publik ka sjellë duelin e vlefshëm për grupin B të nivelit të dytë të futbollit shqiptar, që njihet si Kategoria e Parë, atë midis Dinamos dhe Apolonisë, që u mbyll me rrjeta të paprekura.
Ndërsa të dielën pasdreke ka ardhur drejtpërdrejt një tjetër takim i Kategorisë së Parë, këtë radhë i vlefshëm për grupin A, midis Kamzës dhe Kastriotit. Dhe Kamza vazhdon të ruajë bilancin prej 100 % të fitoreve në këtë sezon të ri të Kategorisë së Parë, pasi ka mposhtur në shtëpi edhe Kastriotin me një gol të vetëm.
Fati i ndeshjes së zhvilluar në Kamëz është vendosur nga një gol i shënuar për vendasit në pjesën e parë nga Morina. Pjesa e dytë nuk ka sjellë gola të tjerë dhe Kamza merr fitoren e 6-të në po aq javë të këtij sezoni.
Kamza ruan kështu kreun e renditjes së grupit A, me 18 pikë, duke qenë në rrugë të mbarë për kthimin në Kategorinë Superiore. Ndërkohë, të hënën pasdreke do të vijë për sportdashësit një tjetër duel i vlefshëm për grupin B të Kategorisë së Parë, ai midis Lushnjës dhe Bylisit.