Gjergj Vyshka 21.11.2014 07:50
Shkojnë për ndeshje miqësore në Stamboll, por në kthim kapen me 20 kilogram e 650 gram heroinë. Lojtarët e skuadrës shijakase, pas verifikimit dhe hetimit të policisë, janë lënë të lirë. Drogë në autobusin e Erzenit, skuadër e cila kishte shkuar për ndeshje miqësore në Stamboll duke përfituar nga ndërprerja e Kategorisë së Dytë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, kjo për shkak të ndeshjeve të kombëtares së të rriturve, të Nën-21 dhe Nën-19-vjeçarëve.
Gjithçka ka ndodhur të martën, teksa shijakasit kanë qenë duke u kthyer, ndërsa në doganën e Kapshticës, pjesa greke, policia helene ka zbuluar sasinë e ndaluar që ishte në autobus. Në pamundësi për të kryer kontroll të imtësishëm në doganë, policia greke ka shoqëruar autobusin e linjës Stamboll-Tiranë, bashkë me pasagjerët, drejt Drejtorisë kundër Lëndëve Narkotike të Athinës. Ngjarja mësohet se ka ndodhur ditën e martë, por është bërë publikë të enjten pasdite për shkak të hetimeve.
Specialistët e narkotikëve në Athinë kanë arritur të zbulojnë brenda depozitës së kondicionerit të autobusit, plot 20 kg 650 gram lëndë narkotike të llojit heroinë. Pas hetimeve paraprake, policia vuri në pranga dy drejtuesit e mjetit, përkatësisht shqiptarë të moshës 41 dhe 43 vjeç, nën akuzën e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Lidhur me ngjarjen, mediat greke raportojnë se autobusi transportonte futbollistë nga Durrësi.
Praktikisht ka qenë skuadra e Erzenit, e cila është nisur në Turqi për një ndeshje miqësore, sugjeruar nga një ndërmjetës me ekipet turke dhe që shijakasit e kanë pranuar me kënaqësi në kushtet kur kampionati ka qenë pushim