AlbanianSport.com 27.09.2015 11:35
ASNN – Mishel Platini reagon për hetimet në FIFA: “Jam gati të bashkëpunoj me autoritetet në Zvicër”. Kreu i UEFA-s, Mishel Platini, ka reaguar pasi u përfshi në hetimet për korrupsion për të cilat akuzohet Sep Blateri. Pas marrjes në pyetje, francezi ka bërë të ditur se është i gatshëm të bashkëpunojë me autoritetet. Gjithsesi, hetimet mund të minojnë besueshmërinë e Platini në prag të zgjedhjeve për president në FIFA.
Padia penale në drejtim të Sep Blaterit, por edhe përfshirja në hetime e Mishel Platinisë mund të zgjerojë rrethin e skandalit të korrupsionit që ka përfshirë majat më të larta të drejtimit të futbollit botëror. Asnjë reagim zyrtar nga ana e presidentit në detyrë të FIFA-s, që është marrë në pyetje nga Prokurori i Përgjithshëm Zvicerian deri në orët e vona të së premtes.
Ndryshe nga Blateri, Mishel Platini ka dashur të sqarojë menjëherë pozicionin e tij në lidhje me 2 milion frangat helvete që, sipas hetuesve, ai ka marrë nga vetë zvicerani. Në një komunikatë për shtyp, presidenti i UEFA-s ka bërë të ditur se “iu kërkua të jepte informacione që mund t’I shërbejnë hetimeve”. “Sqarova gjithçka dhe jam i gatshëm të bashkëpunoj në çdo moment me autoritetet”, – thuhet më tej në këtë deklaratë.
Sidoqoftë, pozita e francezit nuk është aspak e lehtë, pasi prokurori ka në dorë një dokument të firmosur nga Blateri, që i jep Mishel Platinisë 2 milion franga zviceriane, duke e justifikuar këtë thjesht për një punë të kryer mes viteve 1999 dhe 2002. Po ashtu, përfshirja në hetime minon besueshmërinë e Mishel Platinisë që shihej si njeriu që do të pastronte futbollin botëror.
Dhe për këtë arsye ishte favorit në garën për president të FIFA-s që do të zhvillohet vitin e ardhshëm. Por tashmë gjithçka është vënë në pikëpyetje. Ndërkohë, mësohet se policia zvicerane ka vijuar edhe mbrëmjen e së premtes kontrollet në selinë e FIFA-s, për të kërkuar për dokumente të tjera që implikojnë Sep Blaterin apo zyrtarë të tjerë të futbollit evropian dhe atij botëror në skandalin e korrupsionit.