ASNN – Kompleksi Sportiv në Gjirokastër, që i përket fushës së vjetër, është drejt përfundimit, ndërsa firma “Hito 94”, e cila ka marrë përsipër punimet, është në fazën përmbyllëse dhe intensiteti është shumë i lartë. Në një kontakt me inxhinierin e kompanisë, Maksim Sulo, kuptohet se gjithçka po shkon sipas projektit. “Jemi drejt përfundimit të punimeve të këtij kompleksi, pasi çdo punim është kryer sipas projektit të hartuar nga ana jonë”, – ka thënë ai.
“Fusha ka një ngritje nga niveli i mëparshëm rreth 2 metra, – ka vijuar inxhinieri. – Janë bërë kanalizimet për kullimin e ujërave, ku ka dhe një pjerrësi 7-10%. Kanë përfunduar bordurat anësore të fushës. Është hedhur dhe shtresa e fushës, siç quhet në gjuhën tonë, “alfa 3”, e cila po merr ngjeshjen e duhur. Kemi 2-3 ditë që po e vadisim me ujë në formën e shiut nga impianti që kemi ndërtuar dhe mendohet se brenda datës 5-6 shtator do të shtrohet tapeti artificial.”
“E kështu që ky kompleks, sipas mendimit tim, duhet të mbarojë dhe të jetë gati për të gjitha ato ekipe që mund të bëjnë stërvitje pranë tij, – ka theksuar ai. – Unë dua të falënderoj kryebashkiakun e këtij qyteti, Flamur Bime, i cili është tepër i interesuar për këtë kompleks. Por nuk dua të lë dhe pa përmendur edhe drejtuesit e klubit Luftëtari, sidomos sekretarin e këtij klubi Arlind Norën, i cili së bashku me trajnerin Bledar Devolli interesohet çdo ditë për ecurinë e punimeve.”
“Mendoj se punimet e këtij kompleksi, pas shtrimit të tapetit, do të marrin formën e duhur” – ka përfunduar inxhinieri i kompanisë “Hito 94”, Maksim Sulo.