AlbanianSport.com 24/04/2020 18:40
ASNN – Ishte e pritshme dhe ishte thjesht çështje kohe, teksa qeveria kishte pezulluar deri në gusht veprimtaritë sportive me shumë njerëz dhe përkundër edhe presionit të UEFA-s për të vazhduar garën dhe për të mos e braktisur atë. Kështu, është bërë tanimë zyrtare, teksa sezoni është shpallur i pavlefshëm në Holandë, duke mos patur as fitues.
Kështu pra, teksa në të gjitha kampionatet e tjera në Evropë po diskutohet se si të kthehen dhe të luajnë sërish futboll, pas krizës së shkaktuar për shkak të “COVID-19”-ës, Holanda i ka dhënë fund, duke pezulluar sezonin. Vendimi u mor nga Federata Holandeze e Futbollit (KNVB) të premten pas një diskutimi të gjatë midis klubeve dhe Federatës. Po kështu, nuk ka ndryshime edhe në formatin e kampionatit.
Federata deklaroi se nuk kishte një mundësi për të rritur kampionatin në 20 ekipe dhe çdo gjë do të mbesë e pandryshuar, me ADO Den Hagën dhe RKC Va’alvijkun që do të qëndrojnë në nivelin më të lartë, në “Eredivisie” sezonin e ardhshëm, pasi KNVB-ja vendosi të mos promovojë ose zbresë asnjë skuadër, bazuar në rezultatet e këtij sezoni, që ishte ndërprerë që prej mesit të marsit për shkak të koronavirusit.
Gjithashtu s’do të ketë as fitues. Ajaksi dhe AZ Alkma’ari ndanin vendin e parë me nga 56 pikë secila. Renditja përfundimtare është ajo aktualja dhe klubet në zonën e Ligës së Kampioneve dhe në Ligën e Evropës do të luajnë në sezonin e ardhshëm, 2020-2021 në Evropë. Nga ky vendim i qeverisë holandeze, penalizohen dhe skuadrat që luftojnë për t’u ngjitur në elitë.