Adriatik Balla 19.09.2015 16:25
Presidenti i Federatës Serbe të Futbollit, Tomislav Karaxhiç, theksoi për “Novosti”-n e Beogradit se institucioni i tij nuk mund ta pengojë gjatë Kosovën të anëtarësohet në UEFA, pavarësisht përpjekjeve aktuale që ai dhe kolegët e tij po bëjnë në zyrën e Mishel Platinisë.
“Prej ditësh jemi në kontakt të vazhdueshëm me zyrtarët më të lartë të UEFA-s, – ka rrëfyer ai për median në fjalë. – Kërkesa e shtetit të papranuar dhe Federatës së papranuar është vërtetë në rend të ditës. Për të do të diskutohet, por ne kemi garanci të forta se për këtë nuk do të vendoset tani.”
“Natyrisht, shqiptarët nuk do të heqin dorë, – ka theksuar kreu i futbollit serb. – Ata këto ditë janë në Maltë dhe tezën e tyre për hyrje në UEFA po e bazojnë në atë se i ashtuquajturi shtet i Kosovës është në prag të hyrjes në FIFA dhe se janë anëtar me të drejta të plota në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.”
“Por, për këtë çështje nuk mund të vendoset para Kongresit të UEFA-s, më së largu deri në qershor të vitit 2016”, – përfundoi Presidenti i Federatës Serbe të Futbollit, Tomislav Karaxhiç.