AlbanianSport.com 13.05.2016 19:30
ASNN – Skandal i ri dopingu në sportin e atletikës. “Nju Jork Tajms” ka botuar deklaratën e drejtorit të laboratorit të WADA-s, Grigori Rodçenkov, i cili ka thënë: “Ndërronim epruvetat e dopuara me të pastra, gjatë natës”. Pas këtij skandali, Federata Ndërkombëtare e Atletikës do të marrë vendim në 17 qershor 2016, nëse Rusia do të marrë pjesë në Lojërat Olimpike të Rios.
Ka qenë gazeta prestigjoze “Nju Jork Tajms”, e cila ka botuar një tjetër deklaratë “bombë”, të ish-drejtorit të laboratorit antidoping të Moskës, Grigori Rodçenkov, e cila po godet botën e sportit. Për median njujorkeze, Rodçenkov ka treguar për mënyrën se si i pastronin provat për atletët rusë të dyshuar për përdorim dopingu. “I zëvendësonim epruvetat”, – ka thënë Rodçeno.
“Kishim hapur një vrimë në mur dhe që andej i kalonim epruvetat me doping, duke i zëvendësuar me të pastra”, – ka shtuar ai. Ishin rreth 100 epruveta pozitive për doping, për të cilat janë paguar shifra marramendëse, të cilat u zëvendësuan fillimisht, por më pas atletët dolën pozitiv në testet antidoping gjatë Lojërave Olimpike Dimërore “Soçi 2014”.
Dhe nëse do të konfirmohen këto fakte, për Federatën Ruse, do të vendoset pjesëmarrja ose jo në Olimpiadën e Rios, në mbledhjen e Federatës Ndërkombëtare të Atletikës, e cila do të zhvillohet në 17 qershor 2016. Por skandali i publikuar në “Nju Jork Tajms” nuk mbyllet këtu. Edhe Federata e Atletikës së Kenias rrezikon përjashtimin.
Kjo Federatë ka miratuar një ligj antidoping, të cilësuar nga Wada jo konform rregullave të përcaktuara prej saj. Ndaj edhe ajo rrezikon përjashtimin nga Olimpiada e Rios.