AlbanianSport.com 24/12/2018 14:45
ASNN – Një prej lojtarëve shqiptarë më cilësorë të viteve të fundit, Donis Avdijaj, tregoi dhe një herë tjetër “fytyrën e vërtetë” të tij, atë të rebelimit. Që ai është një lojtar rebel e kishte shprehur edhe në të shkuarën, pasi nuk po arrin të dalë në cilësinë e tij maksimale vetëm për shkak të skandaleve. Një herë me shpejtësi maksimale në qytet, pastaj egoja e “mister-50-milionëshit” tek Shalke 04, e më pas sherret e vazhdueshme kur luante në Austri për Shturmin e Gracit.
Kudo ku ka shkuar lojtari me origjinë nga Kosova e ka lënë nga një legjendë urbane. Së fundmi ai ishte protagonist në Holandë, por jo në fushën e lojës. Pasi ka “korruptuar” dy shokë të tjerë të skuadrës, ai ka thyer rregullat e klubit të tij holandez, Vilem 2, duke dalë në treg në kundërshtim të hapur me rregullin që kishte vendosur stafi. Ata janë pikasur dhe ndaj tyre është marrë masë dhe masa e parë penalizuese ishte mospërfshirja e tyre në listën e lojtarëve të grumbulluar për ndeshjen e fundit.
E ndërsa të gjithë merren me thyerjen e rregullave të disa lojtarëve të skuadrës, mediat gjermane në krahun tjetër saktësojnë se Avdijaj është një lojtar fenomenal, po e çon dëm karrierën e tij vetëm për shkak të karakterit të vështirë, si një lojtar rebel. I jashtëzakonshëm në fushën e lojës, por i padisiplinuar. Shumë gazetarë e kanë krahasuar atë me Mario Balotelin, pasi, njëlloj si italiani, shqiptari bën veprime të gabuara në mënyrë të përsëritur.
Madje një media gjermane, shkruante pak javë më parë se “Donis Avdijaj mund të jetë talent i madh, por ai nuk do të bëhet kurrë lojtar i madh sepse është i prirur të shkelë vazhdimisht rregullat. Më shumë se sa ndërton, ai vetëm shkatërron”. Ndërsa trajneri Adrien Koster nuk ka saktësuar se sa do të zgjasë pezullimi i tyre.