AlbanianSport.com 02.11.2014 12:25
ASNN – Në fundin e sezonit që kaloi, Donald Suxho, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka deklaruar që i tha lamtumirë lojës së volejbollit, ndërsa për 20 vite me radhë ka luajtur në shumë shtete, pa harruar kombëtaren amerikane, atje ku jeton që prej 1994-tës. Por në moshën 38-vjeçare, Suxho përpara pak kohësh, kur deklaroi edhe largimin nga volejbolli, ka marrë një telefonatë nga Ylli Tomori, i cili e ftoi të kthehej në Shqipëri dhe të vishte edhe një herë fanellën e Studentit.
Suxho e ka pranuar me dëshirën e tij më të mëdha dhe në mesjavën që kaloi udhëtoi nga SHBA-ja drejt Shqipërisë. Është bashkuar menjëherë me ekipin e Studentit, skuadër që në datën 5 nëntor do të luajë ndeshjen e parë në Kupën e Evropës përballë hungarezëve të Fino Kaposvarit, kurse ndeshja e kthimit do të jetë më 18 nëntor 2014 në Tiranë. Për këto ndeshje, pra për 20 ditë, Donaldi zgjodhi të vishte fanellën e Studentit, fanellë që kujtojmë që pas Skënderbeut ka qenë e dyta që ka veshur në Shqipëri në karrierën e tij sportive.
Dhe, pikërisht kjo ofertë e joshi Suxhon që të çmallet me vendin e tij, pas sukseseve vërtet të mëdha në gjithë rruzullin, atje ku ka luajtur. Pas Kupave të Evropës, Suxho do të kthehet sërish në Amerikë, por ka dëshirë që shpejt të thërritet edhe nga kombëtarja shqiptare, teksa deklaron se do ta mbyllë gjithë karrierën e tij të gjatë sportive me fanellën kuqezi.