AlbanianSport.com 28.09.2014 09:35
ASNN – Domosdova do të udhëtojë sot drejt Shijakut për të zhvilluar ndeshjen e parë të Kategorisë së Dytë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit. Skuadra është përforcuar shumë me afrimet e reja dhe premton se nuk do të zhgënjejë në asnjë prej takimeve të luajtura në Grupin e Veriut të Kategorisë së Dytë.
Rira shkon me ide të qarta dhe ka në mendje formacionin nga i cili shpreson të mos dalë pa pikë. Stërvitjet janë zhvilluar të rregullta e me intensitet të lartë këto ditë që lamë pas, ndërsa çdo repart është testuar masivisht. Rira shprehet se: “Kemi në ekip komponentët e duhur për të fituar, teksa jemi përmirësuar shumë nga viti i kaluar.”
“Lojtarët që kemi afruar janë mjaft të mirë dhe na kanë sjellë siguri në çdo repart”, – ka shtuar trajneri prrenjak. Sulmi siç duket do t’i besohet lojtarit që u afrua pak ditë më parë Shukles, i cili është një lojtarë me eksperiencën e duhur. Shukle shprehet se do të bëjë të pamundurën për të shënuar dhe të nxjerrë me pikë ekipin.
“Të shënoj gol është detyra ime dhe besoj se do ta bëj detyrën sa më mirë. Dua që t’i jap fitoren e parë ekipit të ri që iu bashkova këtë vit”, ka përfunduar sulmuesi i Domosdovës, Shukle.