AlbanianSport.com 25.09.2014 18:45
ASNN – Afrimi i futbollistëve si Shukle, Mema, Alliut dhe portierit Sina duket se kanë përforcuar shumë ekipin. Pasi ata janë lojtarë mjaft cilësor dhe kanë marrë besimin e plotë nga drejtuesit prrenjakë që do të japin më të mirën për skuadrën e Domosdovës. I të njëjtit mendim është edhe trajneri Rira, i cili po punon shumë me ta për t’i ambientuar sa më shpejt me ekipin. Edhe lojtarët që ishin pjesë e ekipit duket se janë ringjallur këtë vit duke treguar një formë fizike të shkëlqyer dhe duke bërë paraqitje mjaft të mira në seancat stërvitore.
Ajo që është më e rëndësishme aktualisht për drejtuesit e ekipit është të fitojnë të drejtën e sigurisë nga Policia për t’i luajtur ndeshjet në Prrenjas. Ndeshjen e parë në kampionat Domosdova shkon me një moral pozitiv dhe kërkohet të merret maksimumi nga ai takim. Trajneri Rira shprehet se do të jetë në fushë formacioni më i mirë i dalë nga seancat stërvitore dhe se me ta besojnë se do të marrim pikë që në ndeshjen e parë.
Portieri Gerald Sina, i cili i është bashkuar Domosdovës pak ditë më parë, shprehet i bindur se ndaj Olimpikut do të marrin pikët e para. “Do të jap maksimumin në këtë ndeshje pasi ka shumë rëndësi nëse merren pikë në ndeshjen hapëse të kampionatit. Ajo që unë kam në dorë është të mos lë kundërshtarin të prekë rrjetën dhe jam stërvitur mjaft mirë për të mos i lejuar ata. Shpresoj që puna e trajnerit të shpërblehet nga ne që në këtë ndeshje. Personalisht besoj shumë tek fitorja”, – ka përfunduar portieri i Domosdovës, Gerald Sina.