AlbanianSport.com 03.10.2014 10:25
ASNN – Vazhdon stërvitja me ritme të larta tek Domosdova, skuadër e cila, pas disfatës që ka pësuar në javën e parë të kampionatit ndaj Erzenit, kërkon të kthehet tek fitorja. Trajneri Rira shpreson që kthesa do të vijë në ndeshjen e radhës dhe se do të ketë disa ndryshime në formacion. Një mungesë e madhe në kampin prrenjak, gjithnjë në ndeshjen e parë ndaj Erzenit, ka qenë edhe sulmuesi i afruar ditët e fundit Shukle, pasi ka pasur probleme me federimin.
Federata e ka njoftuar klubin një ditë para ndeshjes me shijakasit për këtë problem dhe drejtuesit nuk kanë pasur kohën e mjaftuar për të rregulluar gjithçka që Shukle të ishte në fushën e lojës. Tashmë edhe kjo telenovelë e trishtuar duket se ka marrë fund, pasi janë bërë edhe një herë të gjitha proçedurat përkatëse dhe pritet që lojtari, që një vit më parë ka qenë pjesë e Gramshit dhe ka zhvilluar ndeshje shumë të mira, të jetë i gatshëm për të ndihmuar ekipin.
I gjithë ekipi është optimist se me Shuklen në sulm do ta kenë më të thjeshtë të arrijnë rezultate pozitive, pasi ai është në një gjendje fizike mjaft të mirë dhe di të shënojë. Eksperienca e tij e vërteton këtë. Eliker Shukle shprehet se është ndjerë shumë keq, pasi një problem i tillë e penalizoi që ai të mos jashtë në fushë për të ndihmuar ekipin e tij. “Tashmë gjithçka është në rregull dhe shpresoj që të mos kem probleme të tilla dhe të arrijmë të marrim rezultate sa më të mira”, – ka thënë sulmuesi.
“Jemi të vetëdijshëm që nuk e nisëm mbarë kampionatin, por kemi një rrugë të gjatë para ku mund të rikuperojmë dhe të arrijmë sa më lart”, – ka përfunduar futbollisti i Domosdovës, Eliker Shukle.