AlbanianSport.com 22/01/2021 18:40
ASNN – Për shkak të kalendarit të ngjeshur, të shkaktuar nga bojkoti i Ligës Profesioniste të Futbollit, kampionati shqiptar po ecën me ritëm të përshpejtuar dhe po kështu po vepron edhe Komisioni i Disiplinës, që ka dhënë vendimet e fundit, në lidhje me javën që lamë pas në kampionatin shqiptar.
Të enjten në mbrëmje u mbyll java e 15-të e Kategorisë Superiore me derbin Partizani-Tirana, që përfundoi me suksesin 1-0 të skuadrës së trajnerit Ilir Dajës. Dhe Komisioni i Disiplinës është mbledhur ditën e premte dhe ka marrë masa për çfarë nuk shkoi mirë këtë javë.
Kështu, Trajneri i Bylis, Veljko Dovedan, u pa i acaruar në fundin e takimit që ekipi i tij humbi ndaj Vllaznisë, me një gol të pësuar në minutën e 4-t shtesë. Protestat i kanë kushtuar 2 ndeshje pezullim timonierit serb të ballshiotëve, ndërsa klubi është dënuar me gjobë 100,000 lekë (të reja), për mospërmbushje të detyrimeve.
Edhe Partizani është gjobitur me dyfishin e kësaj shume për të njëjtën akuzë, si dhe duhet të dëmshpërbleje brenda 15 ditëve dëmet e shkaktuara në Stadiumin “Elbasan Arena”.
Ja të gjitha vendimet e Komisionit të Disiplinës:
- Zyrtari i KF Bylis, Veljko Dovedan, për protestë ndaj vendimeve të zyrtarit të ndeshjes, në bazë të nenit 55/2 të KDS, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
- KF Bylis, për dështim në përmbushjen e detyrimeve dhe përgjegjësive, në bazë të neneve 64/1, dhe 64/5 të KDS, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë.
- FK Partizani, për dështim në përmbushjen e detyrimeve dhe përgjegjësive, në bazë të neneve 64/1, dhe 64/5 të KDS, dënohet me gjobë në masën 200.000 (dyqind mijë) lekë.
- FK Partizani, urdhërohet të dëmshpërblejë dëmet e shkaktuara në dhomat e zhveshjes në Stadiumin “Elbasan Arena” sipas akt konstatimit, brenda 15 ditëve.
- FK Partizani, në bazë të nenit 12 të KDS, paralajmërohet se në rast të mosvendosjes së stemave në fanellat e lojës, do të jetë subjekt i masave disiplinore që parashikon Kodi i Disiplinës Sportive dhe Rregulloret e FSHF.
- Rrëzimin e kërkesës së Tirana AS Femra, në lidhje me lojtaren Anisa Kotarja, si të pabazuar në Kodin e Disiplinës Sportive.